I ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte regjisori i njohur Saimir Kumbaro.
Biseda nisi me kujtimet e bukura nga filmi i tij i parë “Rrugicat që kërkonin diell”, teksa rrëfeu edhe vështirësitë për shkak të kushteve me të cilat regjisorët haseshin asokohe.

Në “Dola te Ola” Kumbaro foli dhe diskutoi edhe për problemet me ‘të drejtat e autorit’ me të cilat haset arti sot në Shqipëri, duke theksuar se pavarësisht se ekzistojnë ligjet ato nuk zbatohen.

Gjatë bisedës regjisori rrugëtoi nëpër kujtime dhe kujtoi se si fillim ka qenë për ‘Kimi industriale’, të cilën e cilësoi si degë shumë të vështirë, më pas dëshira e tij ishte të bëhej shofer, zanat i cili nuk u pëlqye nga i ati dhe i propozoi që të konkurronte në shkollën e aktrimit, ku Kumbaro fitoi, për të vijuar më pas një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm në rrugën e artit.

Në lidhje me projektet e radhës, regjisori tha se skenarët i ka gati, por është e pamundur për t’i realizuar për shkak të anës financiare.

“Paratë që duhen për një film janë në varësi të një skenari. Unë hyj te regjisorët e shtrenjtë. Nuk bëj dot film me pak pasi trupa dhe aktorët duhen paguar. Për filmin ‘Ne dhe Lenini’ kam patur 550 mijë euro, për të cilin është xhiruar në një azil pleqsh. Të gjithë kanë mbetur të kënaqur; nga ushqimet, fjetjet dhe shpërblimet mujore”, tha ai.

Teksa në studio u shfaq një fotografi e regjisorit Kumbaro me Margarita Xhepën, regjisori tregoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë jo vetëm me të, por edhe me emra të tjerë, si Tinka Kurtin, Yllka Mujon, Rajmonda Bulkun.

“Kinostudio ka qenë një familje”, theksoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: