TIRANË

Policia e Tiranës ka arritur të finalizoj me sukses një aksion policor anti-kanabis. Në pranga janë vendosur tre persona, si dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Policia kishte marrë informacione, se në një zonë të pyllëzuar në Dorëz të Pezës së Madhe, ishin mbjellë parcela të shumta kanabisi.

Kësisoj, u arrestuan Mondi Vervali, Zyber Tusha dhe Qerim Tresa, ndërsa janë shpallur në kërkim Altin Plaku dhe Klajdi Tresa.

Gjithashtu gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 3 armë gjahu, një automjet, 3 aparate celularë si dhe sende të tjera të kundraligjshme. Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:
Finalizohet një tjetër operacion policor antikanabis.

Operacioni i koduar “Dorëz” i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Sekuestrohen 3 armë gjahu, një automjet, 3 aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dorëz”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

M. V., 28 vjeç, Z. T., 42 vjeç dhe Q. T., 58 vjeç. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. P., 35 vjeç dhe K. T., 24 vjeç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe të pyllëzuar, në vendin e quajtur “Dorëz”, Pezë e Madhe. Gjatë kontrolleve në banesat e 3 shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb