Nga: ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Ditën e djeshme ka ni sur procesi i regjistrimit të nxënësve në klasat e para në të gjitha shkollat 9-veçare të vendit. Veç klasave të para, pranë shkollave ka nisur edhe regjistrimi për nxënësit që do të ndjekin klasën përgatitore. Afati i fundit për regjistrimin e nxënësve të klasave të para në Tiranë është lënë data 7 korrik 2015. Për të bërë regjistrimin e fëmijëve prindërit duhet të drejtohen në shkollën që e kanë në juridiksionin e tyre, dhe të dorëzojnë një sërë dokumentesh, ku përfshihet edhe vërtetimi i qendrës së banimit.

Numri i nxënësve që do të regjistrohen në shkallë vendi këtë vit në klasat e para pritet të arrijë deri në 32 mijë fëmijë. Viti i ri shkollor, i cili pritet të nisë në 14 shtator, pasi ende nuk është përcaktuar data zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, edhe këtë vit do të ketë problem mbipopullimin, pasi në Tiranë mbi 70 shkolla do e zhvillojnë mësimin me dy turne.

REGJISTRIMI & DOKUMENTET
Në shkollat 9-vjeçare të Tiranës janë afishuar afatet dhe dokumentet që duhen për regjistrimin e nxënësve në klasat e para dhe në klasat përgatitore ose si quhen ndryshe parashkollor. Afatii regjistrimit është 25 qershor me 7 korrik 2015. Kryesisht regjistrimi në shumë shkolla është bërë me dy turne paradite dhe pasdite, për tu ardhur në ndihmë prindërve që gjatë paradites janë në punë. Në paradite orari është 09:00-13:00, ndërkohë në pasdite fillon në orën 17:00 dhe mbyllet në orën 20:00.

Prindërit, për të bërë regjistrimin e fëmijëve në shkollë duhet të dorëzojnë këto dokumente: Certifikata personale e fëmijës me fotografi; Vërtetim i vaksinimit nga qendra shëndetësore; Raport nga okulisti; Vërtetim i qendrës së banimit si dhe vërtetim i frekuentimit të kopshtit i firmosur nga drejtoria e kopshtit nëse ka. Këto dokumente janë të nevojshme edhe për regjistrimin e fëmijëve në klasat përgatitore. Vërtetimi i qendrës së banimit është i domosdoshëm pasi regjistrimi i fëmijëve bëhet sipas zonave të banimit. Në njoftimet në shkollave janë të përcaktuara edhe rrugët se kush ka të drejtë të regjistrohen pranë një shkolle përkatëse.

Në shkollën “Fan S. Noli” pjesë e Njësisë Nr.2, në njoftimin që ka bërë drejtoria e shkollës shkruhet se: “Pranë kësaj shkolle kanë të drejtë të regjistrohen fëmijët që jetojnë në këto rrugë: Rruga “Qemal Stafa” deri te kryqëzimi me rrugën e “Saraçëve”, rruga “Shemsi Dishnica”, “Luigj Gurakuqi”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Rruga e Barrigadave” deri te kryqëzimi i rrugës “Qemal Stafa”. Si dhe rruga “Xhorxh. W.Bush deri te rruga “Xhorxh Martini”. Regjistrimi i fëmijëve sipas njësive vendore është një kusht jo vetëm për shkollat 9-vejçare, por edhe për nxënësit që do të regjistrohen në klasën e 10-të, pra në vitin e parë të shkollës së mesme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: