Dhoma amerikane prezantoi sot indeksin e biznesit për vitin 2019. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e cila i bëri thirrje politikës shqiptarë të lërë lojërat e fajit por të punojnë për të mirën e popullit.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim tha se vihet re një përkeqësim i klimës së biznesit si dhe ka rënie të investimeve amerikanë në Shqipëri. Shkak për këtë, siç shtoi, veç pandemisë e situatës së krijuar nga tërmeti, problem është edhe klima politike, konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni.

“Jam sot këtu për të thënë se rritja e mundësive të biznesit mes SHBA dhe Shqipërisë është një nga prioritetet e mia. Anketimet tregojnë rënie në klimën e biznesit, ka qenë një vit i vështirë, pasi veç tërmetit ka qenë edhe situata e COVID 19. Po ashtu në këtë përkeqësim ka ndikuar edhe klima politike, konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni. Vërehet se ka rënie të investimeve amerikane”,- tha ajo.

Duke iu drejtuar politikanëve, Kim vazhdoi: “Në vend që të caktojmë se kush e ka fajin për problemet që ekzistojnë, shpresojnë që autoriteti i biznesit t’i rishikojë këto. Jam kureshtare të di cili është vizioni i Dhomës Amerikane në këtë situatë të vështirë, si mund të krijohen vende të reja pune, si do thithen investitorët. Shqiptarët janë të lodhur nga politika. Duan zgjidhe, jo të vazhdohet me një lojë faji, duan që udhëheqësit të punojnë së bashku për të mirën e popullit. Duan të kenë shanse, mundësi dhe jo korrupsion, mundësi që t’ju japin një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre. I sfidoj të gjithë në qeveri apo jo, në biznes që ta marrin parasysh këtë raport që të ndryshoni, të të ecni përpara. Populli do rezultat, vizon jo ofendime. Besoj që udhëheqësit shqiptarë janë të aftë në këtë sfidë. SHBA do jenë të gatshme t’ju mbështesin”.

FJALA E PLOTE
Mirëmëngjes, është kënaqësi që jam sot këtu përkrah Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço, Ministrit Eduard Shalsi, Jorida Tabakut dhe Matteo Colangeli të BERZH-it për botimin e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2020, që vlerëson mendimet e Shefave Ekzekutivë dhe ekzekutivit mbi klimën e biznesit në Shqipëri nga kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane.

Jam këtu sot sepse më interesojnë rezultatet. Më interesojnë thellësisht për shkak të asaj që do të thotë për perspektivën e investimeve në Shqipëri. Siç shumë prej jush e dinë tashmë, rritja e tregtisë dhe e investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është një nga tri prioritetet e mia si Ambasadore.

Shumë shqiptarë nuk do të habiten kur të mësojnë se anketimi i këtij viti tregoi një rënie në klimën e biznesit. Fushat shqetësuese të vazhdueshme janë klima politike, konkurrenca e padrejtë dhe korrupsioni.

Në vend që të përpiqemi të caktojmë se kush e ka fajin për këto probleme, ne duhet të përqendrohemi në mënyrën se si do t’i rregullojmë këto probleme. Pikëpamjet tuaja – dhe veprimet tuaja – do të jenë vendimtare në këtë përpjekje. Cili është vizioni juaj për Shqipërinë dhe cilat janë rekomandimet tuaja konkrete për të arritur atje? Si do të krijoni vende pune, si do të tërhiqni investime të huaja dhe si do të rritni mundësitë për të rinjtë? Si mund të punojmë së bashku për të përmirësuar klimën e biznesit të Shqipërisë? Të gjitha palët e interesuara për ekonominë shqiptare duhet të bashkohen për të prodhuar qasje proaktive, të orientuara drejt zgjidhjeve.

Fakti që situata politike doli në krye të listës së shqetësimeve tregon se shqiptarët janë të lodhur nga politika si zakonisht. Ata janë të dëshpëruar nga politika e të fajësuarit të tjetrit. Ajo që dëgjoj nga populli shqiptar është se ata duan të shohin udhëheqës që punojnë së bashku për hir të popullit. Duan që qeveria t’u ofrojë një mundësie – pa frikë dhe pa korrupsion – një mundësi për të fituar më shumë para, për të arritur një standard të mirë jetese dhe për t’iu dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë.

Siç tha Presidenti John F. Kennedy dikur për politikën e shëndoshë ekonomike: “batica i ngre të gjitha anijet”. Ndaj, sërish ju sfidoj të gjithëve që të përdorni raportin e sotëm për të fituar njohuri mbi atë që duhet të rregullohet, jo për kë duhet të fajësohet. Populli shqiptar dëshiron rezultate, jo fyerje. Ai do vizion, jo ndarje. Jemi besimplotë se populli dhe udhëheqësit shqiptarë janë të aftë të ngrihen mbi këtë sfidë dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, që si gjithmonë, t’ju mbështesin.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb