TIRANË- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ishte sot i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së kontratave të punës, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Europe Agency. Aktiviteti i organizuar, me qëllim njohjen e të gjithë punëkërkuesve dhe punëdhënësve të interesuar me pozicionet vakante e mundësitë që ofrohen nga punëdhënësit, solli në vëmendje edhe arsimin profesional.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se arsimi profesional është një mundësi për të rinjtë, për punësim.

“Qeveria shqiptare menjëherë pas ardhjes në pushtet i dha rëndësi arsimit profesional. Kjo, jo më kot u ndërmor si nismë për t’u promovuar por ngaqë arsimi profesional ka qenë i harruar. Zanatet dhe profesionet kanë qenë të harruara dhe të munguara në Shqipëri. Ne, jemi larg standardeve por ama kemi nisur rrugën e duhur për punësimin, kualifikimin dhe sigurimin e të ardhmes për të rinjtë shqiptarë”, tha Klosi.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Europe Agency nënvizuan se punëkërkuesit, të cilët kanë aplikuar për punë dhe kanë fituar për të punuar jashtë vendit, kryesisht në Emiratet e Bashkuara kanë mundur që të sigurojnë një kontratë punë 2-vjeçare. Pjesëmarrës në aktivitet ishin përfaqësues nga Zyrat e Punës, punëkërkuesit e interesuar, si dhe përfaqësues të arsimit profesional.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: