NGA OLA MITRE

TIRANE- Pas administratës publike, paga minimale do të rritet edhe për sektorin privat”. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili tha se vendimi do të merret në javët në vijim nga Këshilli Kombëtar i Punës. Megjithatë, ministri nuk bëri me dije masën në të cilën pritet të rritet kjo pagë, duke theksuar se ajo do të dakordësohet me përfaqësuesit e punëdhënësve.

“Në javët në vazhdim ne do të kemi një vendim të Këshillit Kombëtar të Punës, i cili është duke negociuar dhe dakordësuar me grupet sindikaliste dhe përfaqësuesit e punëdhënësve për të pasur një rritje të pagës minimale. Paga minimale për sektorin e administratës publike është rritur në nivelin 37.000 lekë”,-deklaroi Klosi. Aktualisht, paga minimale për efekt të përllogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është në masën 22.000 lekë.

SINDIKATA
Ndërkaq, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj thotë për “Gazeta Shqiptare” se ende nuk është rënë dakord për masën, me të cilën do të rritet paga minimale, por sipas tij kjo rritje nuk duhet të jetë më e ulët se 30%. “Ne kemi kërkuar që rritja të jetë 30%, çka do të thotë se nga 22.000 lekë që është aktualisht, të shkojë 28.600 lekë. Ministria ende nuk ka një propozim konkret, por po përkrah biznesin, që kërkon që paga minimale të shkojë në nivelin 24.000 lekë. Për ne kjo është rritje minimale”,- u shpreh Nikollaj. Po ashtu, kryesindikalisti bën me dije dhe argumentet, në të cilën bazojnë kërkesën për rritjen.

“Së pari, paga minimale ka 4 vjet që nuk ndryshon. Së dyti, ka një konventë të ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës) që është nënshkruar nga vendi ynë, ku thuhet se paga minimale nuk duhet të jetë më e ulët se 60% e pagës neto mesatare. Së treti, aktualisht paga minimale është më e ulët se minimumi jetik i përllogaritur. Paga minimale nuk duhet të jetë më poshtë se minimumi jetik i përllogaritur. Pavarësisht se qeveria nuk e njeh minimumin jetik, tashmë ai është përllogaritur dhe dihet sa është”,- u shpreh Nikollaj. Po ashtu, sipas kreut të Konfederatës së Sindikatave, rritja e pagës minimale do të pasohet edhe me rritje të punësimit.

“Ne kemi bërë një studim ku kemi shpjeguar se 0.07% e rritjes së pagës minimale çon në 1% të rritjes ekonomike. Duke pasur rritjen 3% dhe duke menduar që paga minimale të rritet me 30%, rritja ekonomike shkon mbi 6% dhe vetëm në këtë moment fillon të gjenerohen vende pune. Në të kundërt ekonomia nuk prodhon punësim. Po ashtu, rritja e pagës minimale ka të bëjë edhe me sigurimet shoqërore, në mënyrë që të rriten të ardhurat në shtet, duke iu referuar reformës në pensione. Kur u bë reforma, u bazua pikërisht në këtë ide: të rritet paga minimale në masën 60% të pagës mesatare neto sipas standardeve të ILO-s”,-tha Nikollaj.

BIZNESI
Përfaqësuesit e biznesit në Këshillin Kombëtar të Punës kanë kërkuar një rritje deri në 2.000 lekë të pagës minimale. Për shembull, bizneset e mëdha fason nuk kërkojnë rritje shumë të mëdha të këtij niveli, pasi sipas tyre, kjo do të ndikonte në tregun rajonal të punës. Por, sipas Nikollajt, pavarësisht se biznesi kundërshton rritjen e pagës minimale në masën 30%, fatura nuk duhet të bjerë mbi punëtorët. “Për biznesin ne kemi kërkuar që të krijohen rrethana lehtësuese të tjera, që do të thotë siç është vepruar me paketë fiskale për sa i përket regjimit të import-eksportit, të mobilizohen për të prodhuar ‘Made in Albania’ dhe të favorizohen me energjinë elektrike sepse aktualisht është më e shtrenjta në rajon”,- u shpreh Nikollaj.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: