Zëdhënësja e Sali Berishës, Floriana Garo, në një deklaratë për mediat mesditën e sotme tha se me urdhër të Edi Ramës, ‘mercenarët’ e tij morën vendimin e “turpshëm në emër të KAS për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Reagimi i Garos vjen një ditë pas vendimit të KAS, ku rrëzoi kërkesën e nënkryetarit të PL, i cili kërkoi që në fletën e votimit, krah koalicionit “Bashkë Fitojmë” të vendosej emri i Sali Berishës.

Garo shprehet se “ata provuan se janë vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira”.

Reagimi i plotë:

Ilir Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele dhe Ledio Braho, katër mercenarë në oborrin e Ramës me qëllim trembjen e opozitës, kanë marrë një vendim në emër të KAS, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, që turpëron edhe letrën ku është hedhur.

Ata provuan se ata janë vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira.

Ata i janë kthyer me një “Jo” absurde, kërkesës legjitime dhe sovrane të n/Kryetarit të Partisë së Lirisë, z. Endrit Braimllari, në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtues i koalicionit të ishte z. Sali Berisha.

Me urdhër të Edi Ramës, në dhunim të parimeve më themelore kushtetuese e demokratike, u heqin partive opozitare të drejtën për ta zgjedhur. Sipas tyre, atë duhet t’ua caktojë padroni i tyre, Edi Rama.

Arsyeja e vendimit është e qartë, dhe, nuk është as ligjore, as kushtetuese, as logjike dhe as morale. Duke ndjekur urdhrin dhe gjuhën që e përdorin përditë Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata.

Përpjekja për të minimizuar staturën e drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z.Sali Berisha, është asgjë më shumë sesa mjerimi i radhës. Që nga shtatori i para dy viteve, historia dhe përballja politike direkte, i ka gjykuar burrat dhe i ka provuar udhëheqësit. Partia Demokratike, në emër të kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, e sheh këtë akt të fundit të paligjshmërisë dhe amoralitetit, si një ‘banalitet të së keqes’ që, duke u përsëritur, i bën dëm vetëm vetes.

Ne jemi bashkë më 14 maj dhe të vetmin aprovim që kërkojmë janë votat e shqiptarëve. Rama dhe Alibasha, me gjithë mercenarët e tyre, janë e shkuara. E ardhmja është në duart tuaja. Bashkë Fitojmë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: