Avokati Jordan Daci përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në emisionin “Open” ka folur në lidhje me regjistrimin e demokratëve në zgjedhjet e 14 majit, teksa ka thënë se koalicioni i ish-kryeministrit Berisha mund të mos pranohet.

Sipas tij koalicioni nuk mund të përfshijë dot logon dhe emrin e PD-së, pasi ato i takojnë një pale tjetër tashmë, dhe kreu i KQZ-së Celibashi do e refuzojë atë.

Ai shtoi se koalicionit mund t’i jepet kohë për t’u paraqitur nën një logo dhe emër tjetër për hir të formaliteteve në regjistrim sipas kodit zgjedhor.

“Duhet të kuptoni unë them atë që ka ndodhur dhe do ndodhë. Koalicioni nuk mund të përfshijë as emrin dhe as logon Partia Demokratike. Unë ngre dhe dyshimin e refuzimit të koalicionit që përmban siglën dhe emrin që i përket PD-së. Komisioneri mund edhe ta refuzojë dhe PD e Berishës të gjejë një modalitet formal të devijojë për të bërë një regjistrim formal.

Hyrja në koalicion me atë logo dhe atë emër nuk do pranohet nga Celibashi. Do i jepet kohë që të heqin simbolet dhe emrin dhe të vendosin diçka tjetër. Sipas meje nuk regjistrohet në atë formë.

Marrëveshja e koalicioneve në kuadër të kodit zgjedhor depozitohet në KQZ dhe siç del emri i kryetarit del dhe emri i partisë dhe logoja. Nëse bëhet nga një palë që përdor simbolikën e një pale tjetër tashmë do i jepet mundësia të zgjedhë një paraqitje tjetër”, u shpreh ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb