Çako: Rrit standardet, frymën e bashkëpunimit dhe përmirëson imazhin e policisë*
Donald Lu: Policia larg duhaninit alkoolit e ndikimeve politike*
Tahiri-policëve: Duhet të njoftoni eperorin edhe nëse familjaret tuaj kryejnë një vepër penale*
TIRANE – Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu vlerësoi Kodin e Etikës së Policisë, kur tha se ai do të ndihmojë policinë shqiptare në sfidat e shumta që ka pasur. Sipas kryediplomatit amerikan në vendin tonë, ky kod I detyron policiët të jenë më të përgjegjshëm, të mos konsumojnë duhan e alkool në krye të detyrës dhe të mos ndikohen politikishit.

Policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, por shpesh imazhi i policisë nuk është i duhuri. Policia ka sfidat e saj në luftën kundër narkotikëve, vrasjeve dhe krimeve të rënda, por hartimi përfundimtar i këtij kodi do rregullojë punën e tyre. Më pëlqen shumë që ky kod mban zotimin se policët nuk do pinë duhan, alkool dhe nuk do luajnë kumar kur janë në detyrë. ky është një model për të gjithë. Ju refuzoni korrupsionin, dhuratat e të gjitha llojeve, diskriminimin dhe ndikimin politik.
Do ishte i pakuptimtë ky dokument nëse policët nuk diskutojnë për të, shumë e rëndësishme që Ministra e Brendshme ka marrë angazhim për të trajnuar 12 mijë punonjësit e policisë së shtetit për këtë kod, për t’ju ofruar mundësinë e bashkëbisedimit në lidhje me të”.

Tahiri: Do luftojmë veset dhe problemet e policëve
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri theksoi se të luftosh veset dhe problemet brenda policisë, është po aq e rëndësishme sa të luftosh krimin. Sipas ministrit, policia e shtetit nuk mund të instaloje besimin tek publiku, në rast se nuk mundet të instalojë standardet më të larta të performimit.

“Ky kod është Kushtetuta etike e punonjësve të policisë. Është kjo arsyeja përse lind detyra për secilin prej jush që nëpërmjet trajnimeve intensive ky kod të kthehet në modelin standard të punës për secilin punonjës policie. Kjo do të thotë ta nisësh nga sjellja personale. Qytetarët nuk do donin të shihnin një punonjës policie që pi duhan, luan bixhoz, apo nuk respekton uniformën.  Duhet rritur vetëdija për të ruajtur njëri-tjetrin nga çdo ves, apo qasje kriminale që mund të cënojë punën e  gjithsecilit prej jush. Kodi i etikës shërben për të vendosur këto standarde që ndihmojnë më së pari secilin prej jush, të fitojë atë betejën e vogël, idealin të bërit detyrën për qytetarin me besimin që i ka dhënë shoqëria për të qenë punonjës i policisë. Policia duhet të arrijë deri tek njoftimi i eprorit nëse një familjar i tij kryen një vepër penale.”- deklaroi Tahiri.

Ministri përmendi vështirësitë me të cilat përballen sot efektivët e policisë, duke nisur siç tha ai, nga rrëmuja që zhvillohet çdo ditë me akuza nga më të paimagjinueshmet për policinë e shtetit e deri tek rikthimi i kriminelëve të cilët nuk dënohen nga drejtësia.

“Unë e kuptoj se ajo që keni menduar nuk është ajo që keni gjetur në polici. Por ju duhet të jeni më të mirë se ata që gjeni. Të bëni punën duke gjetur forcën tek ideali dhe ëndrra që ju solli këtu”- tha Tahiri, duke iu drejtuar punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit.

Kodi etik, Çako: Rrit standardet, frymën e bashkëpunimit dhe përmirëson imazhin e policisë
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako shprehu bindjen se Kodi etik i policisë do të ndihmojë në rritjen e standardeve, frymës së bashkëpunimit dhe do të përmirësojë imazhin e policisë. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar për prezantimin e Kodit etik, kryepolici Çako falënderoi Ambasadën Amerikane dhe misionin ICITAP, për ndihmën e ofruar në këtë drejtim.

“Dokumenti i Kodit të Etikës së policisë ndihmon në sjelljen e kulturuar dhe në zbatimin e plotë të ligjit. Kultivimin e frymës së bashkëpunimit, rritjen e imazhit të policisë dhe parandalimin e korrupsionit. Kodi etik do tu shpërndahet në formën e një broshure punonjësve të policisë. Kodi etik do të sjellë ndryshime në mënyrën e kryerjes së detyrave, duke rritur standardet dhe përafrimin në nivelin e kolegëve tanë evropiane dhe amerikane.”- deklaroi Çako.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: