NGA LAVDRIM LITA

Një vit më parë kancerlarja Angela Merkel ftoi në Berlin kryeministrat e Ballkanit perëndimor me një objektiv të qartë: Gjermania do të merrte sipërmarrjen e procesit të integrimit të rajonit duke i shkundur këto vende nga plogështia politike dhe ekonomike. Dy shtyllat e sipërmarrjes gjermane janë bashkëpunimi rajonal dhe një vëmendje e veçantë ndaj ekonomisë. E ndërsa bashkëpunimi rajonal ka parë disa hapa përpara në ç’ndrydhjen e marrëdhënieve disapalëshë, nyja ekonomike është parë si laku që mbyt qytetarët e shteteve të Europës juglindore. Përpara sipërmarrjes gjermane ekonomitë e vendeve të rajonit dhe nëndegët e saj si konkurrenca, eksporti, reforma të tregut dhe investime të huaja ishin lënë në një cep ndërsa tani kanë marrë një vëmendje të veçantë. Në fakt laboratori i parë gjerman ka qenë Bosnja Hercegovina, ku bashkë me Britaninë e miratimin e institucioneve të BE-së, ndërmori një iniciativë që bashkëlidhi hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me angazhimin e Bosnjës për të bërë reforma ekonomike, duke lënë mënjanë si kusht zgjerimin e së drejtës së votës edhe përfaqësuesve romë dhe hebre. Kancerlarja Merkel po prodhon safi politikë në këto vende duke përfaqësuar jo vetëm Gjermaninë, por edhe Bashkimin Europian.

Në samitin e Vjenës ishte koha për të bërë një bilanc të asaj që ishte premtuar një vit më parë dhe të miratoheshin projekte infrastrukturore dhe energjetike. Austria, ortaku i Gjermanisë në këtë sipërmarrje, ka një trashëgimi të pasur në çështjet e rajonit dhe dëshironte të rikthehej në pozicione të favorshme. Po ashtu, Franca dhe Italia pritet të zgjerojnë pjesëmarrjen në këtë samit euro-ballkanik duke pritur dy takimet e ardhshme. Nuk dihet nëse hyrja e këtyre vendeve në BE duhet të kalojë në një fazë të ndërmjetme partneriteti BE- Ballkani Perëndimor derisa të kalojë kriza ekonomike dhe institucionale e BE-së? Megjithatë të gjithë të interesuarit në këto samite euro-ballkanike tashmë kanë kuptuar se vetë vendet e rajonit nuk janë në gjendje të prodhojnë një rritje ekonomike ndaj nevojitet investime nga vendet e BE-së që të krijohen vende pune dhe kësisoj ekonomi reale. Përmes kësaj analize të ftohtë e realiste mund të thuhet se hyrja e këtyre vendeve të Europës juglindore në Bashkimin Europian nuk do të jetë kurrë si vende të varfra dhe me probleme etnike e politike që kanë nevojë për kredi e energji të mëdha nga institucionet monetare e politike të Unionit. Ekonomitë e vendeve si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja janë të pabarabarta mes tyre ndonëse bashkohen në faktin që janë në pikë të hallit, pavarësisht se prodhimi i brendshëm bruto (GDP) i disa vendeve ka kapur nivelet e parakrizës së 2009-2010. Sipas Shoqatës së bizneseve të mëdha Austriake (21ist Austria), e cila ka bërë një analizë të klimës për të investuar në vendet e Ballkanit në prag të Samit të Vjenës, thuhet se çekuilibri i bilancit tregtar, papunësia e lartë, rritja e borxhi publik (në Serbi e Shqipëri) apo kuota e ulët e eksporteve dhe shërbimeve pa ndikim në prodhimin e brendshëm bruto sinjalizon një dobësi strukturore të këtyre ekonomive.

Në të njëjtën analizë gjendet një listë e gjatë e rrugëve të reja, zgjerim të arterieve ekzistuese, hekurudha, rrjeteve energjetike dhe gazsjellësve që mund të gjejnë dakortësinë e elitave politike të rajonit, duke mënjanuar keqkuptimet dhe ndasitë shekullore. Serbia dhe Kosova kanë firmosur katër dokumente që kanë pasur vulën “Republika e Kosovës” dhe “Republika e Serbisë”, ç’ka është de facto jo vetëm një normalizim marrëdhëniesh por një lloj para traktati të fqinjësisë së mirë. Vetëm Maqedonia ngelet peng i vetes në marrëdhënie me Greqinë dhe Shqipërinë për shkak të agjendës së saj konfuze dhe pa lidhje me parimet e Bashkimit Europian. Pa ndërhyrjen e komisionarit austriak të Zgjerimit të BE-së, Jonahes Hahn, Maqedonia do të kishte hyrë në një konflikt politik që do të cenonte paqen sociale dhe etnike. Shqipëria e përdori samitin e Vjenës për të shpalosur edhe një herë vizionin e saj për rajonin dhe integrimin Europian, por pa dhënë shumë detaje në lidhje me përparimin ekonomik të saj. Sipas një studimi të universitetit të Nicës në Francë, nevojitet një investim kompleksiv prej 110 miliardë eurosh deri në 2020 për të vënë në punë ekonominë e 15 milion banorëve të Ballkanit.

Ndërsa studimi ekziston, konsensusi politik në vendet e BE-së për këtë investim mungon përderisa nuk kanë asnjë garanci strukturore dhe politike që këto para do të përdoren realisht në ekonomi. Mungesa e besueshmërisë që kanë vendet e rajonit në sytë e BE-së vjen sidomos pas miliardave eurove të shpenzuara këto vite për të përmirësuar ekonomitë, administratat dhe infrastrukturat, ndërsa situata ekonomike, sociale dhe politike është dëshpëruese ç’ka konfirmohet nga 190 mijë azilkërkues ballkanik në Gjermani. Sidoqoftë një gjë është e sigurt: elitat që përfaqësojnë 15 milionë banorë të vendeve si Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova e Serbia janë të lumtura dhe me shpresë që gjermanët janë futur në lojë sepse ka një besim në seriozitetin dhe disiplinën gjermane, ndonëse nuk ndajnë të njëjtën etikë pune me prusianët.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb