Nga AURORA KOROMANI* TIRANE- Një ditë pas superoperacionit policor për sekuestrimin e lëndës narkotike në ish-repartin ushtarak të Xibrakës, zbulohet edhe linja e trafikut nëpër të cilën kalonte kokaina derisa bëhej gati për tregun vendës dhe atë ndërkombëtar. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se origjina e drogës ishte Kuba dhe më pas lënda narkotike përmes rrugëve të Ballkanit vinte në Shqipëri. Sipas të dhënave të ekspertëve, më pas kokaina përpunohej në laboratorin e Xibrakës dhe prej andej destinacioni përfundimtar ishin vendet e Europës Perëndimore.
ITINERARI
Kubë-Turqi-Shqipëri. Kjo ka qenë njëra nga linjat përmes së cilës kokaina që vinte nga Amerika Latine futej në Shqipëri. Burime pranë grupit të ekspertëve që po merren me këtë çështje pohojnë se një tjetër linjë që dyshohet se droga vinte në Shqipëri ishte edhe linja Kubë-Greqi-Shqipëri. Po sipas të njëjtave burime, mendohet se sasia e kokainës të jetë futur edhe nga Maqedonia në vendin tonë. Në të tria rastet, dyshohet se janë përdorur të gjitha format dhe mënyrat për të futur kokainën në Shqipëri, ku nuk përjashtohet edhe futja e saj përmes kontenierëve. Pasi droga hynte në Shqipëri, ajo përpunohej në laboratorin e Xibrakës dhe më pas tregtohej drejt vendeve europiane.Shqipëri-Itali-Austri-Gjermani. Kjo mendohet se është linja përmes së cilës droga e përpunuar tregtohej jashtë vendit.
PËRPUNIMI
Sipas grupit hetimor, nga jashtë siguroheshin lëndë me përmbajte të substancave narkotike, të cilat më pas i nënshtroheshin një procesi përpunimi në laborator, proces për të cilin ishin mjeshtra dy kolumbianët, Cezar Avila dhe Walther Moren Juan Moreno, të dy të arrestuar në këtë operacion. Pas përpunimit, kolumbianët bënin të mundur përmes proceseve të tjera, nxjerrjen e substancës së pastër të kokainës, me qëllim trafikimin e saj. Dyshimet e grupit hetimor janë se lënda narkotike shitej edhe në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, por kryesisht në këtë të fundit. Laboratori për përpunimin e kokainës ishte zgjedhur pikërisht një ish-uzinë ushtarake në zonën e Xibrakës në Elbasan. Burime pranë policisë shtojnë se ky laborator ishte kamufluar brenda disa dhomave, të cilat nga jashtë dukeshin si stalla që përdoreshin për mbarështimin e lopëve dhe për shitjen e druve. Në laborator përveç drogës së sekuestruar janë gjetur edhe disa kuponë tatimorë, si edhe çeqe me vlera të ndryshme, të cilat vërtetojnë se në kohë të ndryshme droga ishte blerë jashtë dhe shitej në tregun vendës ose trafikohej jashtë me çmim shumë të lartë.
GRUPI KRIMINAL
Burime pranë organit të akuzës sqarojnë se gjithçka ka nisur në fund të muajt nëntor, kur autoritetet gjermane i kërkuan Prokurorisë për Krime të Rënda të vëzhgojnë dhe verifikojnë lëvizjet e një personi, më konkretisht të të arrestuarit, Ilir Hyseni, që kishte udhëtuar nga Gjermania drejt Shqipërisë e që mendohej se merrej me trafik droge. Pas kësaj, Hyseni me urdhër të prokurorisë është vënë në përgjim për të zbuluar lidhjet e tij dhe gjatë kësaj kohe, ai ka folur me personat që janë arrestuar. Mësohet se ndërhyrja për arrestimin e grupit kriminal është bërë në momentin që njëri nga të arrestuarit ka dalë nga laboratori me 19 kilogramë kokainë me destinacion Tiranën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: