Tre persona janë arrestuar sot nga policia e Durrësit, pasi janë kapur me kokainë, që e kishin fshehur në një automjet.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se ndër të tjera, në operacionin e koduar “Tapiza”, në pranga kanë rënë edhe babë e bir.

Të arrestuar për posedim të lëndës narkotike kokainë janë shtetasit Leonard Lozi, Akil Bunaj dhe Latif Lozi.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Goditet një tjetër rast i tentativës për shpërndarje dhe trafikim të drogave të forta.

Finalizohet operacioni i koduar “Tapiza”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës.

Sekuestrohen 1 kg e 30 gramë lëndë narkotike kokainë.

Arrestohen në flagrancë 3 poseduesit e lëndës narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e disponuara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale, u finalizua operacioni policor i koduar “Tapiza”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A.B., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

L.L., 58 vjeç dhe L. L., 28 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”), babë e bir, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Tapizë – Fushë Krujë, në bazë të informacioneve të marra për këta shtetas, të cilët po transportonin një sasi të konsiderueshme kokaine, kanë ndaluar mjetin tip “Volksvagen”, që drejtohej nga shtetasi L. L., 28 vjeç.

Gjatë kontrollit në mjet, në kroskot, u gjetën 1 kg e 30 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb