Përmendja e Martin Camajt e Ernest Koliqit si bashkëpunëtorë të agjencive të huaja të inteligjencës, ka ngjallur reagime. Poeti Primo Shllaku sheh dashakeqësi dhe kërkon të mbajë qëndrim Akademia e Shkencave.

Ai del kundër Auron Tares për çështjen e implikimit të Ernest Koliqit e Martin Camajt në agjenturat e huaja.

“Nuk kam gjë të keqe me të, as të mirë më. Por dua të kuptoj se ku fle peshku tani, se këtu ka një peshk që fle. Ka kohë që ai e grric ketë histori. Derisa tani doli me paketë kundër tre autoriteteve të letrave e letërsisë, Camajt, Koliqit e Krist Malokit”- thotë Primo Shllaku.

Shllaku, ish mësues në Prekal e ish pedagog në Beograd si Camaj, thotë se nëse Camaj ka qenë apo jo pjesë e UDB-së, duhet vërtetuar me dokumente arkivore dhe jo me aludime mbi punësimin e martesën. Duke e parë studimin e Tares të botuar nga Ardian Vehbiu, si një bombë e hedhur, a si një silur, një përgjegjesi të madhe ai vë mbi shpatullat e Akademisë së Shkencave.

“Përderisa ai e ka botuar shkrimin në sajtin e Ardian Vehbiut, që është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave, unë mendoj se Akademia e Shkencave është e implikuar. Dhe tani unë dua të di, Akademia e re, me drejtues të ri, që unë e kam përshëndetur, ku e ka mendjen? Me sa shoh unë, Akademia e re e ka nisur me silurime”, thotë Shllaku.

Por sa i takon bashkëpunimint të Koliqit me fashistet, Shllaku thotë se shumë figura kombëtare kanë bashkëpunuar me sunduesit, ndaj ndërsa ngre pyetjen jep edhe përgjigjen.

“Po, Koliqi bashkëpunoi me fashistët. Kjo dihet. Hapi disa shkolla, bëri disa gjëra. Ndihmoi të shpëtohej jeta e Petro Markos në Itali, gjë që Tare e përdor me shumë djallëzi. Pse, a bëri keq ai që e shpëtoi Petro Markon? Duhet thënë se shumë figura të njohura kanë bashkëpunuar në kohë të ndryshme. Çfarë do tu themi ne atyre që thonë se Pashko Vaso ka qenë satrap në Liban? Ndërkohë, a nuk ishin vëllezërit Frashëri me osmanet? Asnjë nuk vrau sulltanin, punuan për ta. Të gjithë, bashkëpunuan dhe ndihmuan vendin e tyre”, thotë mes të tjerash, Shllaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb