Nga komuniteti i futbollit shqiptar, kush tjetër përpos Armend Dallkut do të mund të fliste më me kompetencë për Kombëtaren e Shqipërisë, fanellën e të cilës e ka djersitur për 64 ndeshje dhe futet në mesin e lojtarëve me më shumë paraqitje me kuqezinjtë.

Ish-mbrojtësi i djathtë i kuqezinjve, tani trajner te Dukagjini të Klinës, në një intervistë për “Telegrafin”, ka folur për ecurinë fantastike të Shqipërisë, gjërat që bëjnë diferencën dhe shumë gjëra të tjera.

“Të them të drejtën nuk i kemi pritur rezultatet e Shqipërisë deri në këtë masë, por kjo na bën krenarë të gjithëve. Duke pasur parasysh që është krijuar një grup shumë homogjen, me një trajner të ri dhe energjik. Shpresojmë të ketë vazhdimësi në këto dy lojë dhe ta sigurojmë sa më parë kualifikimin për në Gjermani”, ka thënë fillimisht Dallku.

Sipas Armend Dallkut, ekip aktual mund që quhet si më i miri në historinë e Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa këtë e bazon edhe me rëndësinë e lojtarëve në klubet e tyre.

“Duke pas parasysh që të gjithë rreth ekipit, trajneri, presidenti, federata, të gjithë janë në një linjë, normalisht mund të themi që është ekipi më i fortë. Këtu futet konkurrenca shumë e madhe brenda për brenda grupit, duke marr parasysh që për një vend kemi dy apo tre lojtarë që luftojnë. Nuk është si në të kaluarën që kishim shumë vështirë për ta bërë një grup që kishin minutazh loje. Ndërsa tani ndodh e kundërta, të gjithë tani janë lojtarë standard nëpër klubet e tyre dhe kjo a bërë që ekipi të rritet dhe të kërkohet maksimumi. Këtu duhet të falënderohet edhe FSHF me në krye Armand Dukën, që ka krijuar kushte super, super të mira, duke filluar nga infrastruktura, stadiumi pritja dhe çdo gjë tjetër. Në atë stadium po krijohet atmosferë fantastike”, ka nënvizuar Armend Dallku.

Ish futbollisti i Vorslkas Poltavës në Ukrainë ka bërë edhe dallimin mes Kombëtares së Shqipërisë kur luante vetë dhe skudarës aktuale që drejtohet nga trajneri brazilian, Silvinjo.

“Edhe ne i kemi pasur të gjithë lojtarët që kanë qenë eminente dhe pjesë e ekipeve me nam në Europë, por nuk kemi pasur një grup prej 20 deri në 25 lojtarë siç është tash. Kjo na ka penalizuar shumë herë, duke pas parasysh që kemi pasur lojtarë jashtë formë dhe lojtarë që kanë qenë në ekipe të mira, por kanë pasur pak minutash. Pra, nuk e kemi pasur atë boshtin prej shumë lojtarëve, siç është tani. Kur kishim dëmtime dhe kartonë zgjidhjet ishin më të pakta. Trajnerët kishin vështirësi të zgjidhnin një 18-she siç ka qenë atëherë për t’iu përgjigjur eliminatoreve të kampionatit Europian apo Botëror. Këtë grup, të veçantë e bën numri i madh i lojtarëve që ka, sepse konkurrenca është rritur shumë. Kësaj do i shtoja edhe investimet që janë bërë përreth ekipit. Atë kohë, edhe ne e kemi bërë aq sa kemi mundur, por kushtet nuk kanë qenë siç janë tani, por kemi bërë maksimumin. Stadiumi është perfekt, një arenë që do ta kishte lakmi. Secili nga ne që luanin në atë kohë do të donte të luante në atë stadium”, deklaroi ish-mbrojtësi i kuqezinjve.

Më tej Dallku veçoi tre lojtarët që i kanë pëlqyer më shumë në këto eliminatore deri më tani.

“Grupi po paraqitet shumë mirë dhe secili repart ka liderët e vetë, duke filluar nga porta ku punë shumë të mirë është duke bërë Berisha. Pastaj në vijën e fundit në mbrojtje kemi Gjimishtin, i cili ka një gjakftohtësi dhe është shumë i matur dhe organizon shumë mirë këtë repart. Në mesfushë kemi Ramadanin, i cili po vrapon shumë, por kryen punë në të dyja repartet dhe është asistues dhe vendimtar në shumë momente. Për mua, Ramadani është një nga lojtarët kyç. Sa i përket fazës së sulmit të gjithë i kanë meritat, pasi po shënojnë të gjithë si Seferi, Asani, por edhe Cikalleshi po bën punë të madhe. Duke mos anashkaluar golat e bukur që po shënon Asani dhe rëndësinë e tij në ekip, sipas meje Berisha, Gjimshiti dhe Ramadani janë lojtarët më të mirë deri më tani”, analizon trajneri vushtrrias.

A do të jenë vendimtarë te Shqipëria, Armando Broja dhe Marash Kumbulla, të cilët janë të dëmtuar për momentin, këtë gjë e tregon Armend Dallku:

“Kumbulla dhe Broja do të jenë një armë shtesë për ekipin kur të rikthehen, mirëpo një gjë që po më pëlqen te ky ekip, nuk është individi, por grupi, gjë që e kemi vuajtur ne në të kaluarën, pasi si kishim një mungesë apo dy, kishim probleme. Individi tani është në plan të dytë dhe kjo është meritë e FSHF-së dhe trajnerit. Broja dhe Kumbulla do të jenë një armë shtesë, por ekipi nuk e ka pasur problem të ketë suksese edhe pa të dy. Gjithçka do të jetë në dorën e trajnerit. Më pëlqen Silvinjo që nuk bazohet te individët, por te forma dhe kjo po i rikthehet mirë me sukses, gjë që nuk është rastësi”. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: