Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, ku është pritur nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Komisioneri Varhelyi u ndal më së shumti tek pandemia e COVID-19 dhe ndihma që BE ka ofruar për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e Shqipërinë në veçanti. Ai tha se në Shqipëri falë Bashkimit Evropian dhe ndihmës së shtetit austriak, kanë mbërritur 145 mijë vaksina të Pfizer.

“Mirëmëngjesi të gjithëve. Mirëmëngjesi zoti kryeministër, faleminderit që na keni pritur. Është ditë e mrekullueshme kjo dit për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë.

Jam i kënaqur që kemi arritur në fundin e këtij procesi që më ka sjellë këtu me vaksinat. Nuk ka qenë e lehtë, por mendoj që po vijmë këtu në momentin e duhur, në një moment kyç, në një moment kur duhet të dalim nga kjo pandemi dhe dalja nga pandemia është gjë e mirë nëse promovojmë vaksinat dhe i shpërndajnë ato. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksinat dhe të bëhet vaksinimi.

Shpresojmë që me këto vaksina të siguroni grupet më të cënueshme. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të Pfizer, jo vetëm që po i sjell BE, janë 100% të financuara nga BE. Këto janë dhurim, janë një dhuratë për ju nga ana jonë. Për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Një gjë që dua ta bëj të qartë, është që nuk do ta bënim këtë gjë pa qeverinë austriake, të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm për këtë gjë.

Ata kanë bërë të [pamundurën që të bëhet realitet. Pa koordinimin e tyre asgjë s’do të bëhej. Ky lloj bashkëpunimi tregon vlerën e Evropës dhe është një dëshmi në atë që do të bëjë Evropa nëse bëhet bashkë. Ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që në fillimin e pandemisë.

Në momente të caktuara me maska, ambulanca, njësi të reaminacionin, përmirësimin e spitaleve dhe ndihma për buxhetin e shtetit. Ne jemi të interesuar tek siguria dhe shëndeti i fortë i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Varhelyi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb