Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dha një mesazh me “Skype” në takimin e “Ballkanit të Hapur”, që po zhvillohet në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama, Presidentit Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrit Zoran Zaev.

Komisioneri Varheyli mbështeti nismën për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa ju bëri thirrje tri vendeve të tjera të rajonit, që t’i bashkohen kësaj nisme, pasi sipas tij, nëse nuk bëhen të gjithë bashkë në tryezë, përfitimet nuk do të jenë të plota.

“Është e lehtë të jesh mik i Ballkanit, kur siç e dini unë jam nga Hungaria. Ndoshta kjo më jep një nivel më të afërt kuptimi të nevojave që ka Ballkani dhe mënyrës si mund ta ndihmojmë për t’u rritur shumë më shpejt e për të ardhur më afër BE. Për të qenë i ndershëm, kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi, që u quajt në fillim mini-shengen. Më pas, u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët. Për fat të keq, me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. E konsideroj këtë nismë si një pasardhëse apo një zëdhënëse, derisa të gjithë të jenë rreth tryezës.

Ju duhet të vazhdoni ta nxisni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë, shoqërisë. Rajoni kërkon të jetë bashkë, siç jemi ne në BE. Admiroj faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë, sepse së pari ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani, nuk është BE që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot. Ju vazhduat ta shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithëve. Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal, mënyrën si kjo mund të ndryshojë gjendjen e qytetarëve tuaj, por edhe si mund të integrojë Ballkanin në BE. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën këtë bashkëpunim.

Ne në BE mendojmë se në bazë të rregullave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur, por edhe në të mirë të të dyja palëve. Do të ishte ideale që të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal. I ftoj tri partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal, sepse jo vetëm shton mundësitë për biznese, ofron shtim të punësimit, por mund të ndryshojë realitetet në terren. Realitetet në terren janë shumë të zymta. Nëse ka diçka që ju citoj kryeministri Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 rritje të PBB ekzistuese. Pjesa tjetër e PBB mund të arrihet përmes një përplotësuesi thelbësor, që është plani ekonomik, që BE e ka mbështetur.

Nuk ka arsye që t’i lidhësh të gjitha kryeqytetet me rrugë e hekurudha, në mënyrë që trenat të ndalen në çdo pikë kufiri. Nuk ka asnjë kuptim që të krijojmë një plan ekonomik, nëse burokracia i kundërvihet qarkullimit të lirë të shërbimeve. Gjatë krizës së Covid-it ju e bëtë të ditur se çfarë dallimi, ndryshimi, mund të bëhet me këtë. Jam i kënaqur që së paku ju të tre të vazhdoni dhe shpresoj që tre të tjerët të bashkohen shumë shpejt, sepse pa këtë plani nuk mund t’iu sjellë të gjitha përfitimet. Ne po ofrojmë një investim për së paku 1/3 e PBB të gjithë rajonit, por kjo do të funksionojë, nëse të gjithë do të marrin pjesë. Është me rëndësi që t’i tregojmë botës se kur angazhoheni, ju bëni atë që thoni dhe jepni rezultate. Ne jemi gati t’iu ndihmojmë që rezultatet të jenë të shpejta”, tha Varhehyi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb