Me kërkesë të Kuvendit, një delegacion i Komisionit të Venecias do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Shqipëri, në datat 9-12 shkurt 2020.

Vizita është në kuadër të dhënies së opinionit për dy projektligjet, njeri për Autoritetin e Mediave Audio Vizuale, (AMA) dhe tjetri për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP), ose ndryshe paketa e ligjeve “Antishpifje”.

Në program është parashikuar që delegacioni të pritet në një takim nga Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla dhe një përfaqësi e grupit, ditën e hënë, më datë 10 shkurt 2020, në orarin 10:05-10:45, tek salla e Komisionit të Ligjeve, kryesia e Kuvendit.

Ndërkohë në mars është parashikuar që Komisioni i Venecias të shqyrtojë dy ligjet e paketës Anti-Shpifje.

Paketa e propozuar nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama ka ngjallur reagime dhe përplasje të forta në Shqipëri, pasi është kundërshtuar nga opozita, analistët, gazetarët e shoqëria civile, të cilët e shohin paketën si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave.

Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend ligjet për mediat elektronike, duke argumentuar se ishin në shkelje me Kushtetutën, ndërkohë që Kuvendi shtyu miratimin e tyre pas shqyrtimit dhe opinionit nga Venecia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb