Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me operacionin e zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet franceze në Tiranë, për goditjen e Call Center-ave.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se janë shpallur në kërkim pronarët e Call Center, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur shumë kompjutera, telefonë, dokumente me të dhëna operatorësh, si dhe të dhëna në lidhje me viktimat e huaja që kanë rënë pre e mashtrimeve.
Sa i përket punonjësit të policisë së shoqëruar, mësohet se ai ishte punonjës në komisariatin nr. 1 në kryeqytet.
Efektivit i është marrë telefoni si dhe është kryer kontroll nga AMP në banesën e tij.
Operacioni i SPAK
Një aksion policor është zhvilluar në zonën pranë “Sami Frashërit” në Tiranë, në kuadër të një operacioni për goditjen e call center-ave mashtrues.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritetet franceze.
Gjatë aksionit është shoqëruar të paktën një punonjës policie, ndërsa nuk përjashtohet që numri i personave të përfshirë të rritet në vijim të hetimeve.
Po ashtu, mësohet se janë duke u ushtruar kontrolle në vendet ku dyshohet se është ushtruar veprimtaria e kundërligjshme, si dhe në banesat e të hetuarve, me qëllim ndalimin e tyre dhe sigurimin e provave të tjera. Sipas burimit, operacioni është duke vijuar dhe nuk ka ende konkluzione paraprake, pasi po vlerësohen edhe provat e reja që po sekuestrohen.
Një javë më parë, bazuar në një hetim të kryer prej Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake, u zbulua një skemë e gjerë mashtrimi kompjuterik me qendër të aktivitetit në Tiranë, prej nga zhvateshin qytetarë evropianë, kanadezë dhe amerikanë.
Po ashtu, hetimet e SPAK në bashkëpunim me autoritetet e drejtësive të disa vendeve evropiane, kanë zbuluar në vite skema të shumta të mashtrimit përmes call-center që u kanë shkaktuar dhjetra miliona euro dëme qytetarëve.
