Ndonëse dy muaj para zgjedhjeve qeveria nuk është ndalur dhe ka dhënë me koncesion monitorimin e transaksioneve për hidrokarburet, kryeministri Edi Rama ka mohuar këtë fakt.

Në një konferencë për mediat ai u pyet nga gazetari i ‘News24’ Osman Stafa në lidhje me këtë vendim, nëse do të referohet dhe rritje çmimi për karburantet tek konsumatorët. Sipas Ramës, ky është një proces licencimi dhe vazhdim i revolucionit dixhital.

Pyetje: Dy muaj përpara zgjedhjeve, në 19 shkurt 2021 qeveria ka publikuar një vendim ku përcaktohet dhënia me koncesion e monitorimit të transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve. Sipas vendimit, AKSH-i dhe tatimet do të zgjedhin 3 kompani për këtë koncesion. Pse pikërisht tani ky vendim, ku sipas ligjit nuk lejohet dhënia e koncesioneve 4 muaj para zgjedhjeve. A do të ketë ndikim për rritjen e çmimit të karburantit për konsumatorët?

Rama: I dashur, jo çdo gjë që ndodh quhet koncesion. Nuk është koncesion. Ky është një proces licencimi në vazhdim të revolucionit dixhital. Është një proces i nisur. Në bazë të ligjit nuk mund të nisin procese të reja në këtë periudhë 4 mujore, ky është i nisur prej shumë kohësh. Bëhet fjalë për licencim të të tre kompanive dhe jo koncesion. Dakord!

VENDIMI
Vendim është marrë më 24 dhjetor, por është publikuar dy muaj më pas në fletoren zyrtare dhe përcakton kriteret dhe kushtet e këtij koncesioni. Sipas vendimit, tri kompani që do të përzgjidhen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, do të ofrojnë shërbimin e monitorimit dhe qarkullimit të transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve. Thënë ndryshe kompanitë e hidrokarbureve do të blejnë një sistem të ri monitorimi dhe me anë të tij do të gjurmohet sasia e karburantit nga depo deri tek konsumatori. Kjo bën që tarifa që do të paguhet për koncesionin të reflektohet në çmimin final të karburantit që shitet për qytetarët. Koncesioni ka një vlerë prej 100 milionë eurosh dhe do të zgjasë 10 vite.

Dyshohet se kompanitë që do të fitojnë këtë koncesion mund të jenë gjetur më parë pasi në pikën 17 të këtij vendimi thuhet se shoqëria nuk duhet të jetë e certifikuar, e autorizuar, e licencuar ose e kontraktuar nga administrata shtetërore për një hallkë tjetër të procesit të kontrollit të hidrokarbureve, duke përjashtuar nga gara në këtë mënyrë të gjithë kompanitë që kanë pasur kontrata më parë dhe që infrastrukturën e kanë pasur gati dhe në këtë mënyrë mund të ofronin edhe një çmim më të ulët që nuk do të rëndonte xhepat e qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: