FRANCË- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ka marrë marrë pjesë në Konferencën e 3-të ndërkombëtare Reputation War, në Paris ku ishte e ftuar për të folur mbi temën “Si të ndryshosh imazhin mbas një dekade të një reputacioni negativ”.
Ministrja Gjermeni foli për sfidat e vendit që pas viteve ‘90, imazhin e Shqipërisë në botë dhe reformat që janë ndërmarrë për ta ndryshuar vendin dhe imazhin e tij pas shumë vitesh reputacion jo të mirë. Ajo theksoi ndër të tjera se “viti 2014 ka qenë një vit i mbarë për Shqipërinë, në kuadër të njohjes dhe një prezantimi dinjitoz të vlerave të vendit”.

Në vijim të qëndrimit të saj në Paris Ministrja Gjermeni u takua me z. Jean-Louis Bianco, Këshilltar Special i Ministres së Mjedisit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjetikës në Francë, ku u diskutua mbi mundësi bashkëpunimi në kuadër të eficencës së energjisë, veçanërisht në banesat sociale, duke reduktuar kështu kostot e energjisë elektrike. “Ne e konsiderojmë bashkëpunimin me Francën dhe Ministrinë e Mjedisit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjetikës të frytshëm dhe urojmë që në të ardhmen ky bashkëpunim të intensifikohet dhe me projekte të tjera të përbashkëta dhe ofrimin e ekspertizës franceze dhe në fusha të tjera”, tha Gjermeni.
Ajo theksoi se Ligji i Bregdetit dhe projekti për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ishullit të Sazanit i shërben jo vetëm zhvillimit të turizmit por zhvillimit të integruar të territorit duke mbrojtur dhe ruajtur natyrën dhe mjedisin.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb