Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë me anë të një deklarate ka thënë se të shtënat me armë në Lindje të vendit janë ende evidente. Ministria tha se në 11 orët e para të së dielës, janë shënuar 20 incidente, duke shkelur kështu armëpushimin e vendosur.

Marrëveshja Minsk II, nënkupton armëpushimin midis ushtrisë ukrainase dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia.

Rojet kufitare ukrainase thanë se për shkak të bombardimeve, një pikë kalimi për organizatat ndërkombëtare humanitare, Shchastia, në Linjën e Kontaktit ishte mbyllur që nga ora 8:00 e mëngjesit të së dielës.

Disa banorë të Donetskut, që kontrollohet nga separatistët pro-rusë, raportuan për bombardime të rënda herët të dielën. Një grua e kontaktuar nga CNN tha se ajo dhe fëmijët e saj donin të afroheshin më pranë qendrës së qytetit për shkak të granatimeve në lagjen e saj, Abakumova.

“Nuk mund të mbijetoj një natë tjetër si kjo. Jam shumë e frikësuar”, tha ajo.
Autoritetet ruse thonë se më shumë se 40,000 njerëz kanë mbërritur në Rusi pasi u evakuuan nga Republikat e vetëshpallura Popullore të Donetsk dhe Luhansk, sipas kreut në detyrë të Ministrisë së Situatave të Emergjencave, Alexander Chuprian.

“Ato janë të vendosura kryesisht në rajonin e Rostovit,” tha Chuprian.
Guvernatori i rajonit të Rostovit, Vasily Gobulev, të shtunën shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rajon për të përballuar fluksin.

Evakuimi i civilëve u urdhërua nga udhëheqësit e republikave të shkëputura të premten, kur ata pretenduan se forcat e armatosura ukrainase po planifikonin një ofensivë kundër rajoneve. Ukraina ka mohuar vazhdimisht çdo plan për të sulmuar rajonet, të cilat përbëjnë rreth 7% të territorit ukrainas.

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se po fillon një hetim mbi raportimet e mediave për viktima nga bombardimet në rajonin e Luhanskut. Në një deklaratë, komiteti tha: “Mediat raportuan se sot në mëngjes Forcat e Armatosura të Ukrainës bënë një përpjekje për të sulmuar pozicionet e Milicisë Popullore të Republikës Popullore të vetëshpallur Luhansk, ndërsa sipas të dhënave paraprake ka viktima. në mesin e popullatës civile”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb