Nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku ka renditur disa nga problematikat që mund të hasen gjatë zgjedhjeve të 14 majit. Në një intervistë për “Panorama TV” Pelinku tha se një prej këtyre problematikave është ndryshimi i vendbanimit.

“Për fat të keq kjo është ajo që pritet, radha dhe konfuzion në qendrat e votimit. Imagjinoni një zgjedhës që do mbajë radhë në qendrën e votimit për të cilën është informuar dhe pasi t’i vijë radha do ti komunikohet që emri nuk është në atë listë. Do informohet ku e ka qendrën e votimit dhe do presë sërish radhën. Kjo mund të çojë deri në dorëzimin e zgjedhësit, heqja dore nga e drejta e votës së zgjedhësit”, tha numri dy i KQZ.

E pyetur nëse votimi elektronik bën të mundur identifikimin e votës, një shqetësim kjo për qytetarët, Pelinku e përjashtoi si mundësi.

“Është një shqetësim i drejtë. Edhe në zgjedhjet e 2021 kur votimi elektronik i implementua në Tiranë dhe pa hasur problemin e sulmeve kibernetike kishte një shqetësim të shtuar të zgjedhësve që kishin marrë që me anë të pajisjes elektronike vota identifikohet. Dua ta theksoj që kjo gjë është e pamundur, nëse një dezinformon i tillë hapet, hapet për ti bërë presion zgjedhësit që në analizë të fundit ndikon në vullnetin e tij. Nuk ka asnjë mundësi që të identifikohet vota aty ku do të implementimet votimi elektronike”, pohoi ajo.
Ndërsa e pyetur për mundësinë e manipulimit të rezultati, Pelinku tha: “KQZ ka vepruar me verifikimin pas zgjedhor, për të parë sa të sakta ka qenë teknologjia. Dhe gabimi ka qenë zero. Palët e interesuara janë qetësuar sa ka lidhje me pajisjen. Unë shpresoj që nuk do ketë, por ngelet për tu parë se çfarë do të ndodhë. Dhe në rang vendi shpresojmë që mos ketë raste, apo të jetë një nivel i pranueshëm i kontestimeve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb