SHKODËR

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike ka nisur në këto momente protestën në qytetin e Shkodrës. Mbështetësit e opozitës  janë mbledhur para prefekturës së qarkut, ndërsa kërkojnë që të mos konstituohet Këshilli Bashkiak, pasi sipas tyre, zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime. Partia Socialiste ka ndryshuar vendin dhe orën e mbledhjes, e cila ka si rend dite betimin e anëtarëve të bashkisë.

Edhe pse ishte parashikuar që mbledhja të mbahej në ambientet e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Partia Socialiste ka ndryshuar kurs duke vendosur që këtë mbledhje ta mbajë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Universitetit në orën 11:00, me qëllim evitimin e ndonjë përplasjeje të mundshme mes mbështetësve partiakë.

Gazetari i “BalkanWeb”, Senad Nikshiqi raportoi nga qyteti verior se në mbështetje të protestuesve janë edhe ish-deputetë të PD, si dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi. Kjo rezistencë e opozitës vjen menjëherë pas  dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, i cili sipas selisë blu rezulton i dënuar në Itali për trafik droge dhe si rrjedhojë është subjekt i dekriminalizimit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: