KORÇË- Një pjesë e statujave në parkun “Rinia” në qytetin juglindor të Korçës është dëmtuar rëndë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës, ku persona ende të paidentifikuar i kanë rrëzuar statujat nga platformat e tyre, duke i shkaktuar kështu thyerje dhe dëmtime të tjera. Statujat janë realizuar nga artistë të vendeve të ndryshme të botës dhe janë vepra të artit bashkëkohor. Ngjarjen e ka denoncuar vetë Bashkia e Korçës, e cila ka publikuar edhe foto të statujave të dëmtuara. Bashkia dënon autorët e këtij akti vandal që sipas saj cenon dhe fyen çdo qytetar të Korçës.

“Bashkia denoncon aktin e paprecedent të dëmtimit të skulpturave të parkut. Mbrëmë janë rrezuar forcërisht nga platforma e tyre dhe janë dëmtuar, një pjesë e skulpturave të parkut, vepra të artit bashkëkohor, realizuar nga artistë nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrës në simpoziumet ndërkombëtare të skulpturës të parkut organizuar nga bashkia. Ky është një veprim antiqytetar që cenon dhe fyen pa përjashtim çdo qytetar të Korçës që po shijon këtë verë parkun e saporikonstruktuar me standarde europiane. Mendjet e nxehta dhe dashakeqe, që kanë kryer mbrëmë këtë akt të turpshëm vandal, mbi një nga investimet me të mëdha të bashkisë, siç duket nuk e dinë që parku është i të gjithëve, i çdo qytetari pa përjashtim, pavarësisht moshës, botëkuptimit, përkatësisë apo bindjeve të tij”, deklaron Bashkia.

Më tej në reagimin e saj ndaj kësaj ngjarjeje, Bashkia e Korçës thotë se çdo banor i këtij qyteti dhe rrethinave distancohet nga ky akt dhe dënon keqbërësit.

“Çdo banor i Korçës dhe rrethinave të saj distancohet sot nga ky akt vandal që nuk i shkon një qyteti si Korça dhe dënon keqbërësit të cilët me aktin e tyre të ushqyer nga mllefi dhe antiqytetaria kanë lënduar çdo banor të këtij qyteti. Këto veprime, veç indinjatës të thelle qytetare, nuk munden dot të na frenojnë në rrugën të pandalshme të zhvillimit të qytetit. Korça do të vazhdojë të zbukurohet, me parqe e sheshe për qytetarët, me rrugë të rikonstruktuara dhe me ndriçim, me vepra arti që i shtojnë bukurinë dhe vlerat. Dora vandale e errësirës dhe regresit do të ndalet nga vullneti, dashuria dhe dëshira e çdo banori që e do Korçën dhe e mbron atë”, përfundon deklaratën Bashkia e Korçës.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: