TIRANË

Mbetet një emergjencë për Kinën, pa impakt jashtë saj. Kështu shprehen ekspertët e shëndetit publik Silva Bino dhe Pëllumb Pipero në “Real Story” në News24 duke iu referuar situatës së krijuar nga koronavirusi, një virus i ri që nisi nga krahina e Ëuhan në Kinë dhe ka shfaqur disa raste dhe jashtë Kinës.

Bino parashtroi kushtet që një ngjarje të quhet emergjencë ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe tha se kjo gjë shërben për të rritur koordinimin ndërkombëtar.

“Që OBSH të klasifikojë një ngjarje emergjente ndërkombëtare duhet të plotësojë 4 kushte. Kjo plotëson 3 kushte. Duhet të jetë një ngjarje e pazakontë, me impakt në shëndetin publik, të prekë tregtinë dhe udhëtimet, këto janë kriteret që ne vlerësojmë çdo ngjarje. Disa prej këtyre kritereve plotësohen. Kur themi që është ngjarje emergjente nuk mund të themi që është emergjëncë shqiptare apo amerikane. Kur themi që është një ngjarje me emergjëncë ndërkombëtare kjo rrit koordinimin ndërkombëtar. Kur ishte SARS nuk e kishim rregulloren ndërkombëtare të shëndetit. OBSH merr informacione nga shumë rrugë. Bën analizë të detajuar dhe kryqëzim të informacionit, prandaj quhet inteligjencë epidemike. Pavarësisht se çfarë shpall OBSH kjo mbetet një emergjencë për Kinën. Edhe për Mers nuk ra dakord OBSH për emergjencë ndërkombëtare. Për virusin Zika u ra dakord të quhet një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare për shëndetin publik. Ata do të mblidhen pas 10 ditësh e do shihen faktet e tjera”, deklaroi Bino.

Edhe Pipero deklaron se nga indikatorët e deritanishëm ky virus nuk do ketë impakt jashtë Kinës. Ai thekson se në rastin më të keq në Shqipëri mund të jetë 1 ose 2 raste të importuara por me masat e marra jo jenë lehtësisht të identifikueshëm

“Ngjarja do jetë e izoluar vetëm në Kinë nuk do ketë impakt jashtë Kinës. Nga indikatorët e deritanishëm mendoj se nuk do ketë impakt, nuk e di çfarë do ndodhë më tej.

Unë mendoj që me masat që janë marrë me mungesën e aftësisë për t’u shpërndarë nga njeriu tek njeriu, në rastin më të keq tek ne mund të kemi 1 apo 2 raste të importuara. Duke iu referuar masave besoj se dhe këto raste do jenë të identifikuara ose të monitoruara. Nuk do ketë asnjë rast autokton por në rastin më të keq mund të 1-2 raste të importuara. Të paktën deri sot që po flasim nuk ka asnjë lloj arsye për të pasur edhe frikë, për të pasur edhe panik”, deklaroi Pipero.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb