Futbollisti Lumbardh Dellova është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e zhvilluar të hënën me klubin e tij, CSKA Sofia kundër Ludogorets.
Dellova iu nënshtrua sot ekzaminimeve mjekësore nga stafi mjekësor i Kombëtares, me ç’rast u konstatua se ka pësuar frakturë në shputën e këmbës dhe u vërtetua se periudha e rikuperimit do të jetë më e gjatë sesa kohëzgjatja e këtij kampi.
Ndërkaq, Kombëtares në këtë grumbullim, për arsye personale, nuk do t’i bashkohet Edon Zhegrova.
E nga data 28 maj, pjesë e kampit të Kombëtares do të jetë Betim Fazliji, futbollist i skuadrës zvicerane St. Gallen, i cili rikthehet në fanellën dardane pas një kohe të gjatë.
Dardanët do t’i vazhdojnë nesër përgatitjet për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës, me stërvitjen e radhës që mbahet në orën 11:30, në Kampin Nacional në Hajvali.
