PRISHTINE- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Serbi, Aleksandar Vulin ka reaguar ashpër ndaj Ramush Haradinajt, ku ky i fundit tha se Kosova e ka armik Serbinë. Vulin pohoi se është koha që Haradinaj të mos merret me deklarata të tilla, duke kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Koha është që ai të ndalet, kjo për hir të serbëve dhe shqiptarëve. BE-ja dhe UNMIK-u duhet ta ndalojnë atë”, tha Vulin. Madje ministri serb shkoi aq larg sa e quajti kandidatin për kryeministër edhe të çmendur. “Vetëm një i çmendur e krahason Vuçiçin me Haradinajn. Ai është një i çmendur që ka shkaktuar gjakderdhje”, ka thënë Vulin.

Kujtojmë se kandidatit për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinajt, i është dukur qesharake, madje ofenduese, pyetja e gazetarit të televizionit publik nëse Kosova do ta ketë partner Serbinë. “Po bon shaka po më duket”, është reagimi i parë i kreu të AAK-së, pasi gazetari Ridvan Berisha e pyet Ramush Haradinajn nëse në rast se zgjidhet kryeministër “A e sheh Serbinë si partner në konsolidimin e shtetit të Kosovës?”.

“Është ofendim që t’i thuash kryeministrit të ardhshëm, ose të nominimit, që ke partner Serbinë. Nuk e kam partner Serbinë, por Shqipërinë. Kemi Kroacinë partner, Austrinë, Gjermaninë”, vazhdon më tej kandidati për kryeministër të Kosovës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: