Skuadra e Gjilanit e ka nisur me fitore edicionin e ri të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Në ndeshjen hapëse të kampionatit, të zhvilluar të premten pasdite në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Gjilani triumfoi 3:1 ndaj Feronikelit 74.
Gjilanasit e zhbllokuan rezultatin në minutën e 7-të, kur Granit Jashari shënoi për 1:0.
Në minutën e 48-të, Hamdi Namani dyfishoi epërsinë e Gjilanit me një supergol nga distanca, duke i dhënë skuadrës së tij avantazh të rëndësishëm.
Feronikeli 74 shënoi në fillim të ndeshjes përmes Indrit Prodanit, por goli u anulua për shkak të prekjes me dorë nga sulmuesi Ivan Deliq gjatë aksionit.
Gjilani vazhdoi ta kontrollojë ndeshjen edhe në pjesën e dytë dhe në minutën e 84-t e thelloi epërsinë. Bleart Tolaj ishte i saktë nga pika e bardhë për 3:0.
Feronikeli 74 arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 89-të, po nga penalltia, me Shpresim Zogun që e ngushtoi rezultatin në 3:1.
Me këtë fitore, Gjilani e nis edicionin e ri me tri pikë të rëndësishme, ndërsa Feronikeli 74 rikthehet në Superligë pas një viti të kaluar në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.
