Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë kaluar tanimë kufijtë e Shqipërisë, duke u shtrirë edhe në Kosovë. Para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë u mbajt një tubim protestues, ku aktivistë dhe qytetarë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndërhyrjeve të planifikuara në zonat e mbrojtura natyrore.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër asaj që e cilësojnë privatizim të hapësirave publike, protestuesit kërkuan ndalimin e projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosisteme me rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
Gjatë tubimit u dëgjuan brohoritje si “Shqipëria është e jona, jo e oligarkëve”, ndërsa pjesëmarrësit shprehën solidaritet me protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera.
Mobilizimi në Prishtinë vjen në një moment kur kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec po merr përmasa gjithnjë e më të gjera, me protesta, reagime publike dhe nisma sensibilizuese që po organizohen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë.
