Kosova për herë të parë do të përfaqësohet me delegacion në Asamblenë Parlamentare të KiE-s.
Në sesionin e radhës të APKiE-së që po zhvillohet në Strasburg, më 10-14 tetor 2016, u mor vendimi që Kosova për hërë të parë të përfaqësohet me delegacion në këtë Asamble.

Në fjalën e saj drejtuar Asamblesë, Kryetarja e Delegacionit shqiptar në APKiE, Valentina Leskaj u shpreh se formatimi i delegacionit u mbështet në Rezolutën 2094, miratuar nga Asambleja në janar 2016.

Në paragrafin 13, kjo rezolutë përcakton qartë vendimin e Asamblesë për ngritjen e nivelit të dialogut me Kuvendin e Kosovës; i rekomandon Byrosë që të ndryshojë formatin aktual të bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, duke e ftuar të caktojë një delegacion me përfaqësues nga mazhoranca, opozita si dhe nga komunitetet minoritare.

Pa dyshim që përfshirja e një përfaqësuesi të minoritetit në delegacion, është një mundësi shumë e mirë për to.

Ndërkohë, ngritja e nivelit të dialogut, formatimi i një delegacioni që do përfaqësojë Kuvendin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është një hap shumë i rëndësishëm për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës; me ndikim pozitiv për Kosovën por edhe për stabilitetin e rajonit.

Znj. Leskaj u shpreh se duhet të shohim drejt së ardhmes, përmes dialogut, kjo, natyrisht sipas saj është një nga vlerat dhe misioni i APKiE-së gjithashtu.

“Nuk duhet të na tërheqë pas e shkuara, e cila nuk sjell asnjë të mirë, as për Kosovën, as për Serbinë dhe as për rajonin”, vijoi znj. Leskaj.

Nxitja e dialogut kërkon që palët të jenë në tavolinë, ndaj ratifikimi i vendimit të Byrosë për zbatimin e Rezolutës 2094 të Asamblesë së KiE-së është shumë i rëndësishëm.

“Rajoni ynë po ecën në drejtimin e duhur dhe ky vendim i sotëm për Kosovën është një kontribut tjetër i Këshillit të Europës për prosperitetin e rajonit”, përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Delegacionit shqiptar në APKiE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: