BRUKSEL- Komisioni Evropian ka miratuar pakon e tij të programeve të asistencës para pranimit për vitin 2015, për të mbështetur reformat dhe bashkëpunimin rajonal në vendet që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, me një vlerë prej rreth 1 miliard euro.

“Kjo pako shpreh angazhimin e fuqishëm për perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Ai është një investim afatgjatë në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e vetë BE-së dhe do të mbështesë procesin e reformimit ekonomik dhe politik të vendeve në rrugën e tyre drejt pranimit në BE”, tha Johannes Hahn, komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim.

Mbështetje në reforma
Financimi vjen nga Instrumenti i Asistencës para Pranimit (IPA II), dhe do të jetë në dispozicion për Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Kosovën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Ai do të mbështesë reformat e mëtutjeshme demokratike dhe publike si dhe bashkëpunimin rajonal.

Investimi në lidhje
Kjo pako veçanërisht përfshin një program 155 milionë eurosh për të ndihmuar financimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës rajonale në sektorin e energjisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor: katër ndërlidhje energjetike, dy projekte rrugore dhe dy projekte hekurudhore, ku të gjitha prej tyre do të sjellin më afër njëra tjetrës ekonomitë dhe shoqëritë. Kontributi i BE-së pritet të stimulojë edhe kredi nga institucionet financiare partnere deri në shumë të përgjithshme prej 540 milion €.

Përmirësimi i lidhjes brenda Ballkanit Perëndimor si dhe në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit. Komisioni e ka agjendën e lidhjes si një prej prioriteteve më të larta në këtë rajon, me mbështetje të plotë të qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Një theks i veçantë i është vënë përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete në investimin e infrastrukturës rajonale, mirëpo edhe në zbatimin e standardeve teknike dhe masave të buta (p.sh. thjeshtësimin e procedurave për kalimin e kufirit ose shthurjen e kompanive dhe qasjen e palëve të treta në rrjete).
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: