KOSOVË- Drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, ka thënë se si pasojë e bllokadës së licencës në këtë ndërmarrje humbja kap vlerën e mbi katër milionë eurove.

Ndërkaq sa iu përket pengesave me të cilat përballet ndërmarrja “Trepça”, Tmava ka thënë se mosdefinimi i statusit të saj paraqet problemin kryesor me të cilin përballet kjo ndërmarrje. Veç kësaj, ai ka thënë se problem paraqet edhe moszgjidhja e anëtarëve të bordit në këtë ndërmarrje. “Ky vit, për fat të keq, ka nisur jo mirë, sepse në janar kishte greva për ta përshpejtuar zgjidhjen e statusit të Trepçës, pastaj ishte ngecja për katër muaj shkaku i mungesës së licencës. Këto na kanë sjellë telashe të shumta. Mirëpo, pasi i është dhënë licenca Trepçës, ne kemi filluar prodhimin që nga qershori dhe po përpiqemi të paktën ta kompensojmë humbjen e katër muajve kur s’kemi pasur licencë”, ka thënë Tmava.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se humbja e shkaktuar vështirë se do të mund të kompensohet deri në fund të vitit. “Humbjet e shkaktuara sigurisht nuk do të mund të kompensohen deri në fund të vitit, por po tentohet të punohet sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Tmava. Ai ka bërë me dije se është lidhur një kontratë për eksportim të produkteve të kësaj ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë eurosh. “Vlera monetare e kontratës, të cilën e kemi lidhur për këta muaj që kanë mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm, mund të oscilojë në bazë të çmimit të berëzës ndërkombëtare. Mirëpo, nëse merret parasysh çmimi i sotëm, kjo kontratë është mbi 20 milionë euro”, ka thënë Tmava.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: