TIRANË- Pas disa orësh diskutim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm regjistrimin e kandidatit të PD-së Ilir Pjetraj në Kurbin duke hedhur kështu poshtë vendimin e KZAZ 15 të Kurbinit. Vendimi për çregjistrimin u mor me 4 vota pro dhe 3 vota kundër. Kërkesa për çregjistrimin e Ilir Pjetrajt, u depozitua nga Partia Socialiste. Në bazë të këtij vendimi, kandidati i ASHE-së Artur Bardhi do të jetë kandidat i vetëm në Kurbin. Por nga ana tjetër përfaqësuesi juridik i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti deklaroi se PD do të ankimojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor, nëse dhe ky kolegj merr të njëjtin vendim atëherë sipas tij do të ketë vetëm një kandidat. Por Kosovrasti u shpreh optimist për vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

“Do ankimojmë vendimin. Mesa e kam ndjekur kryetaren e KQZ, ka përmendur faktin kur legjislacioni e ka patur më parë. Neni thotë se nuk lejohen ndryshimet në listat shumëemërore. E ka mbyllur legjislatori për listat shumëemërore. Për fatin e mirë, në interes të asaj që kemi kërkuar janë dy vendime të KZAZ, 54 dhe 55. KZAZ 54 e ka pranuar tërheqjen e Altin Bibës. Pra ai vendim është në fuqi dhe kandidati Biba nuk do jetë në listë. Meqë ata e pranojnë tërheqjen e kandidatit si nuk ka të drejtë PD të vërë kandidat tjetër. Do të ishte e paligjshme për mua nëse KZAZ 15 e Kurbinit do të miratonte vendimin pas datës 13. Ne do ankohemi në kolegjin zgjedhor. Nuk mund të mbyllet fletë votimi pa mbaruar çështja në Kolegjin zgjedhor. Nëse kolegji e rrëzon kandidatin tonë do ketë vetëm një kandidat. E drejta e qytetarëve që të kenë të zgjedhin u është mohuar”, tha Kosovrasti.

Kërkesa ankimore e Partisë Socialiste, kundërshton pikërisht vendimin e KZAZ-së nr.15, për regjistrimin e kandidatit të koalicionit “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” për kryetar të Bashkisë Kurbin, Ilir Pjetraj. Genc Gjonçaj, përfaqësuesi juridik i PS-së në KQZ tha se regjistrimi i Pjetraj është bërë jashtë afatit dhe vendimi për regjistrimin e tij është i pavlefshëm.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti u shpreh kundër kësaj ankese, pasi sipas tij, regjistrimi i kandidatit Pjetraj është në respekt të ligjit dhe nuk ka asnjë arsye të kundërshtohet.

GJONÇAJ: VENDIMI I KQZ I DREJTË, PROBLEMI JONË JANË ZGJEDHJET LOKALE
13:00- Përfaqësuesi i PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genci Gjoncaj deklaroi se vendimi i KQZ0së për kandidatin e PD-së në Kurbin është i drejtë dhe ligjor. Ai shtoi se kodi ka afate dhe ato duhet të zbatohen.

Ndërsa për animimin e PD-së Gjonçaj shtoi se është në të drejtën e tyre të ndjekin rrugët e tjera ligjore, siç është dërgimi i çështjes pranë Kolegjit Zgjedhor.

“PD është në të drejtë të ankimojë sipas përcaktimeve të kodit. Sa i takon çështjes KQZ vendosi drejt, procesi nuk mund të rrijë peng i askujt, as i problemeve që partitë mund të kenë me veten dhe as me kandidatët. Problemi ynë janë zgjedhjet, nuk jemi në fazën që ti kthehemi më kandidatëve. Po sikur të dojë të dorëhiqet dy ditë para zgjedhjeve kur njerëzit presin të votojë? Është e rëndësishme të duhet se kodi ka parashikuar afate”,-komentoi ai.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb