TIRANE- Janë 90 njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë dorëzuar ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve informacion për Qendrat e Votimit dhe 235 njësi që nuk kanë sjellë informacion për hartat zgjedhore. Për këtë arsye KQZ i tërheq vëmendjen kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore të cilët në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, nuk kanë sjell ende informacionin sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor dhe të udhëzimit të këtij institucioni. Nëse këto njësi nuk sjellin informacionin e kërkuar KQZ paralajmëron vendosjen e gjobave.

“Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e KQZ-së, janë 90 njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë sjell informacion për Qendrat e Votimit dhe 235 njësi që nuk kanë sjellë informacion për hartat zgjedhore. Ju rikujtojmë kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, që të sjellin informacionin e kërkuar, pasi në të kundërt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të nenit 169 të Kodit Zgjedhor, do të procedojë me vendosjen e sanksioneve administrative (gjobë) në ngarkim të personave përgjegjës”, ka deklaruar zëdhënësja e KQZ-së.

Gjithashtu KQZ-ja sjell ne vëmendje të Operatorëve Radiotelevizivë me shtrirje lokale dhe kombëtare në të gjithë Shqipërinë, detyrimin që i ngarkon Kodi Zgjedhor për dorëzimin në KQZ, të tarifave zyrtare për çdo segment kohor për transmetimin e reklamave politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 21 qershorit 2015.
Në bazë të nenit 84 të Kodit Zgjedhor, Operatorët Radiotelevizivë me shtrirje lokale dhe kombëtare detyrohen që në çdo rast të zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor përgjatë gjithë kohës së fushatës.

Gjithashtu, po në këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor përcaktohet se “Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat, nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti apo kandidat të regjistruar për zgjedhje”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zbatimin e urdhërimeve të Kodit Zgjedhor sa i përket publikimit të tarifave zyrtare të transmetimit të reklamave politike në faqen zyrtare të institucionit, www.cec.org.al, kërkon nga të gjithë Operatorët Radiotelevizivë, që brenda datës 15 maj 2015, pesë ditë përpara hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, të dorëzojnë në KQZ tarifat e transmetimit të reklamave politike për çdo segment kohor gjatë fushatës zgjedhore.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/150213-DTI-pa-sjell_qv.pdf” viewer=”google”]

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/150213-DTI-pa-sjell_harta.pdf” viewer=”google”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: