Ukraina ka dënuar deklaratën e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov që ka krahasuar rusët me hebrenjtë e vrarë nga nazistët dhe Perëndimin me Adolf Hitlerin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko u bëri thirrje autoriteteve izraelite dhe organizatave hebraike që të dënojnë gjithashtu fjalët e Lavrov.

Sipas gazetës shtetërore ruse TASS, Lavrov tha dje se SHBA-ja kishte formuar një koalicion të vendeve evropiane “për zgjidhjen përfundimtare të ‘çështjes ruse'” ashtu si Hitleri “dëshiroi të zgjidhte “çështjen hebraike”. Lavrov gjithashtu krahasoi aleatët perëndimorë të Ukrainës me Napoleon Bonapartin, “i cili mobilizoi pothuajse të gjithë Evropën kundër Perandorisë Ruse”.

Nikolenko shkroi në Facebook se deklarata e Lavrov “njollos kujtesën e miliona viktimave të Holokaustit”, duke shtuar se “Rusia moderne është plot urrejtje për kombet e tjera”.

“Në gjyqet e Nurembergut, ministri i jashtëm gjerman Ribbentrop mohoi pjesëmarrjen e tij në krimet e nazistëve, por kjo nuk e ndihmoi atë të shmangte dënimin. Ashtu si Lavrov nuk do të shmangë dënimin duke e paraqitur veten dhe Rusinë si viktimë,” vazhdoi postimi i tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: