Nga Mira Bregu, OKB, Gjenevë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-se Antonio Guterres deklaroi se një marrëveshje për ribashkimin e Qipros është shumë afër, por paralajmëroi që të mos priten mrekulli. Duke folur pas bisedimeve për paqen të mbajtura në Gjenevë, Guterres deklaroi se një zgjidhje është e arritshme nëse instrumentet ekzistojnë për zbatimin e saj.

“Nuk mund të prisni mrekulli apo zgjidhje të menjëhershme. Nuk parashikojmë një rregullim të shpejtë. Pritshmëritë tona janë për një zgjidhje të qëndrueshme për republikën e Qipros” deklaroi Guterres.

Kreu i OKB-së shoqërohej në takim nga lideri i Qipros greke Nicos Anastasiades dhe presidenti i Qipros turke Mustafa Akinçi. Një nga problemet kryesore është plani për kthimin e pronave për dhjetëra mijëra qipriotë të larguar nga të dyja zonat në vitin 1974 si dhe nëse ndonjë nga trupat ushtarake turke do të vazhdojnë të qëndrojnë në Qipron e veriut pas ribashkimit.

Turqia ka aktualisht 30 mijë trupa të stacionuara në veri të ishullit. Në mënyrë që marrëveshja të zbatohet, duhet të fitojë mbështetje nga të dyja komunitetet në referendume të ndara. Qëllimi është që të dy palët të ndajnë pushtetin në një federatë me dy shtete dhe sipas OKB-së, ky është shansi më i mirë për ribashkimin e ishullit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: