Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi sot kryetarin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, SPAK. Mes tre kandidatëve që janë betuar sot para Presidentit si anëtarë të kësaj prokurorie, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, KLP vendosi t’i besojë këtë post të rëndësishëm prokurorit Arben Kraja, me gjashtë vota pro.

Në fund të mbledhjes së KLP, kreu i këtij institucioni, Gent Ibrahimi, tha se ky ishte votimi më i vështirë që pas ngritjes së KLP, pasi të tre kandidatët ishin shumë të fortë dhe të përgatitur.

“Që nga krijimi i KLP, ky ka qenë momenti më i vështirë për të bërë një zgjedhje, pasi të tre kandidatët kanë qenë të fortë. Sot zgjodhëm gurin e fundit të “mozaikut” të SPAK. Tani fjala është për ta.  KLP do t’i japë mbështetjen maksimale, qoftë për pavarësinë e tyre, por edhe mbikëqyrje për sa i përket rezultateve. KLP vendosi: Z. Arben Kraja emërohet drejtues i SPAK”, tha Ibrahimi.

Mbledhja:

Mbledhja plenare e KLP ka nisur me deklarimin dhe dorëzimin nga ana e anëtarëve të KLP-së i deklaratave, lidhur me pengesat ligjore dhe konfliktin e interesave në kuadër të procesit të vendimmarrjes për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Arben Kraja ka paraqitur pranë KLP një kërkesë ku kërkon përjashtimin e anëtarit Tartar Bazaj nga votimi për drejtues të SPAK për konflikt interesi.
Kraja ka pasur dosjen e Bazaj nga ku ka dhënë dorëheqjen nga hetimi administrativ.

Anëtarët kanë dhënë mendimin e tyre nëse anëtari i KLP Tartar Bazaj është apo jo në konflikt interesi. Balla dhe Ibrahimi besojnë se ka një konflikt interesi në dukje i Bazaj.

KLP ka kaluar në miratimin e vendimit “Për emërimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” dhe më tej Kryetari i KLP ka shpjeguar mënyrën e votimit.

KLP ka vendosur një sistem pikëzimi me 7 kritere për secilin kandidat, mënyrë e përdorur edhe në përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Anëtarët plotësuan një formular sipas metodologjisë së pikëzimit për secilin kandidat.

Më pas është hedhur në votimin e secilit kandidat sipas rendit alfabetik. Fituesi duhet të ketë 6 vota pro, ndërsa në funksion të vendimmarrjes, kryetari voton i fundit. Dumani është votuar me 4 vota nga Bazaj, Dollapi, Cani dhe Esmeralda Cani. Anëtarët të cilët votuan pro shpjegojnë pse e kanë votuar Altin Dumani. Tashmë pritet votimi për dy kandidatët e tjerë. Për Arben Kraja votuan pro 6 anëtarë, Beci, Staka, Beluri, Sheshi, Seiti dhe Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: