*Gjykata ka vendosur që prokurori të mbahet në ambient të veçantë pa praninë e personave që kanë kryer vepra penale

*Gjykata e Krimeve të Rënda i ka tërhequr vëmendje prokurorisë mbi filmimin e arrestimit

TIRANE-Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur sot të lërë në burg prokurorin e arrestuar pak ditë me parë, Haxhi Giu. Në seancën e sotme në ngarkim të prokurorit akuzuar për korrupsion, trupa gjykuese ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbylluara dhe mësohet se prokurorit i është komunikuar masa për ‘korrupsionin pasiv”.

Me të njëjtën masë sigurie është lënë edhe i arrestuari tjetër, Aleks Shporri, personi që do t’i jepte 29 mijë eurot prokurorit të arrestuar.

Gazetarja Klodiana Lala shprehet se ka pasur zhvillime interesante në vlerësimin e masës së sigurisë për prokurorin. Për herë të parë gjykata vendosi që një prokuror i dyshuar dhe një person tjetër i dyshuar në vepër penale, që të dy të qëndrojnë në ambiente te veçanta pa pasur kontakt me njëri tjetrin. Gjykata ka vendosur që prokurori të mbahet në ambient të veçantë pa praninë e personave që kanë kryer vepra penale, pasi ai (prokurori) ka hetuar persona me rrezikshmëri të lartë, mes tyre dhe Jaho Mulosmani, i shpallur si fajtor për vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Po kështu Gjykata e Krimeve të Rënda i ka tërhequr vëmendje prokurorisë që në rastin konkret te filmimit te arrestimit, jo vetëm që është cënuar privatësia dhe reputacioni i prokurorit me anë të formës së ekzekutimit të arrestimit, por se do të shënojë në procesverbal këtë mënyrë veprimi të arrestimit të ekzekutuar nga ana e forcave Shqiponja.

Prokurori më herët nuk ka pranuar të japë sqarime. “Dua të njihem me provat, deri tani kam vetëm vendimin e shkurtuar të gjykatës për masën time në mungesë”, mësohet të ketë pohuar një seance me
pare, prokurori Haxhi Giu i cili ka hetuar vrasjen e Azem Hajdarit në vitin 1998.

Një nga provat kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Haxhi Giun mësohet se janë përgjimet telefonike. Regjistrimi i bisedave ka nisur për shtetasin Paulin Shpori, i arrestuar për trafik droge në vitin 2014.
I burgosuri është përgjuar teksa fliste me vëllain e tij, Aleks Shpori. Mësohet se kanë qenë thëniet e Aleks Shporit ato që kanë zbuluar implikimin e prokurorit në çështjen penale. Vëllai gjatë bisedave i
shpjegonte të arrestuarit përpjekjet që po bënte për t’i mundësuar lehtësimin e akuzës dhe të dënimit pas kapjes me drogë të Paulin Shporit.
Pikërisht në këto biseda mësohet se janë përmendur takimet me prokurorin Haxhi Giu dhe më pas shuma që i është ofruar atij prej 29 mijë eurosh. Prokuroria ka nisur edhe një hetim për pasuritë e Haxhi Giut, duke kërkuar të dhëna nga Inspektoriati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë, pasi rezultoi se i arrestuari disponon pasuri rreth 50 milionë lekë të rinj.

Paulin Shpori është arrestuar dhe akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë. Ai pas arrestimit është dërguar në gjyq dhe gjatë procesit vëllai i të
akuzuarit, Aleks Shpori, në shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu.
Pas disa takimeve e negociatave, ai i ka ofruar 29 mijë euro në këmbim të lehtësimit të akuzës për të vëllain e arrestuar. Në vazhdim ata kanë shkuar në një pikë këmbimi valutor, ku Aleks Shpori ka
depozituar një shumë parash prej 10 mijë eurosh, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori. Pikërisht pamjet e kamerave të kësaj agjencie janë sekuestruar si provë nga prokuroria.
Në to duket vëllai i të arrestuarit dhe prokurori Haxhi Giu që shkojnë aty e më pas dalin së bashku. Punonjësit e pikës së këmbimit në fjalë janë pyetur në prokurori dhe kanë thënë se paratë e lëna nga Aleks Shpori ishin depozituar si “garanci”.
Në këtë kohë rezulton se Haxhi Giu është vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të Aleks Shporit nga Shkodra. Giu ka dërguar letër në Prokurorinë e Përgjithshme ku propozonte akuzën
moskallëzim krimi për të arrestuarin për trafik droge.
Ky propozim nuk është pranuar, duke bërë që i arrestuari të dënohej me 8 vjet burg për drogë, ndërsa Aleks Shpori ka marrë mbrapsht 10 mijë eurot e lëna në pikën e këmbimit si “garanci” për “shërbimin” e
prokurorit.

MOMENTI I ARRESTIMIT TE PROKURORIT

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: