TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda i la kohë grupit të mjekëve ekspertë deri më datë 8 mars për të ekzaminuar gjendjen shëndetësore të prokurorit Haxhi Giu, i njohur si prokuror i çështjes së shekullit “Hajdari” i cili ndodhet në qeli për akuzën e korrupsionit pasiv. Avokati Neshat Fana i kërkoi gjykatës që të ekzaminohet gjendja shëndetësore e prokurorit Giu, për shkak se është tejet e rënduar dhe prej disa ditësh ai është transferuar në spitalin e burgut për kurim.

Ekspertët pasi të marrin kontakt me të paraburgosurin duhet ti shpjegojnë gjykatës nëse Giut i rrezikohet jeta nga qëndrimi i mëtejshëm në qeli. Mendimi i ekspertëve do ti shërbejë jo pak gjykatës, për të vendosur nëse do ta ndryshojë ose jo masën e sigurisë ndaj prokurorit Giu.

Në fakt, më herët në jo pak raste për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe faktit që të paraburgosurve u rrezikohej jeta nëse qëndronin në qeli, gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre. Në rastin e Giut, pasi të thonë fjalën e tyre ekspertët, gjykata do të japë verdiktin.

Prokurori prej 23 vitesh në detyrë, dyshohet për akuzën e korrupsionit, pasi ka tentuar që në këmbim të një shumë të majme parash ka tentuar të zbusë akuzën nga trafik narkotikësh në moskallëzim krimi për Paulin Shporin nga Shkodra.

Prokuroria pretendon se ka filmime ku prokurori Giu shfaqet bashkë me Aleks Shporin, vëllain e të pandehurit, në një pikë shkëmbimi valutor, ku dyshohet se është depozituar shuma e parave që do të merrte si shpërblim për shërbimin antiligjor që do të kryente. Nga hetimet rezulton se Haxhiu Giu nuk ka mundur ta zbusë akuzën për të dyshuarin për trafik dhe se Paulin Shpori, është dënuar me 8 vite burg.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: