TIRANË

Analisti dhe opinionisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, ka skanuar zhvillimet e fundit politike në vend, por edhe sinjalet që vijnë nga Bashkimi Europian dhe shpresat që ka sot Shqipëria për hapjen e negociatave. Duke komentuar deklaratën e Federica Mogherinit, Lubonja tha se edhe ajo duhet të pyes veten se pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë dot kushtet  e kërkuara.

Gjithashtu Lubonja tha se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave pasi nuk ka vënë në zbatim të gjithë kushte e caktuara nga BE-ja. Ai foli edhe për largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të Evropës, ndërkaq  theksoi se kjo nuk është gjë tjetër, por vetëm pasojë e keqqeverisjes.

“Problemi është që ka ardhur një moment në Europë që edhe Mogherini duhet të pendohej dhe të mendohej se pse këto vende nuk i plotësojnë dot këto kushte. Mos të harrojmë se në këto vendet e Ballkanit janë ngritur regjime, ku është kapur pushteti, nuk është kështu vetëm Shqipëria. Unë kam qenë dhe jam i idesë që nuk mund të përdoret hyrja e Shqipërisë si fasadë e Mogherinit në një krah, sepse po rriten forcat e djathta kudo.

Kjo është e gabuar. Shqipëria nuk meriton të hyjë në Europë, sepse ka shumë për të bërë. Nuk mund të legjitimohet e gjithë kjo politikë, e cila po i bën njerëzit të ikin. Ku janë sukseset? Unë nuk i shoh sukseset. Janë 60 për qind e shqiptarëve që po ikin dhe Mogherini nuk i sheh. Ajo thotë kemi bërë reformën në drejtësi, dhe nga ana tjetër kriminelët bëjnë dasmë në Kuvend. Realiteti nuk mbulohet. Unë mendoj që përtej asaj që mund të dua unë, nuk mbulohet dielli me shoshë”-tha Lubonja.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb