Presidenti turk  Recep Tayyip Erdogan, në Forumin Politika dhe Paradigmat e Reja në Stamboll, u shpreh se tashmë Turqia ka shfaqur “fuqinë e saj diplomatike” gjatë konfliktit të vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Roli ynë kritik në hapjen dhe mirëmbajtjen e korridorit të grurit, si dhe shkëmbimet e të burgosurve (midis Rusisë dhe Ukrainës), është një shembull i rëndësishëm i fuqisë diplomatike të Turqisë. Turqia ka luajtur rolin e një force balancuese që nga fillimi i luftës në shkurt, falë marrëdhënieve tona me presidentët rus dhe ukrainas dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së”, tha Erdogan.

Ankaraja dhe Erdogan ishin përsëri në ballë të përpjekjeve ndërmjetësuese këtë javë, pas tërheqjes së Moskës nga marrëveshja e grurit e nënshkruar nga Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina në Stamboll në korrik.

Kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja  për eksportimin e prodhimeve bazë bujqësore, kryesisht grurit, Turqia arriti të ndërmjetësojë duke bërë të mundur realizimin e këtij procesi, në mënyrë që të mos përkeqësohej shtimi i urisë në gjithë botën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb