Pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen për eksportet e prodhimeve bazë bujqësore, Franca ka reaguar duke kërkuar që eksporti të mund të realizohet përmes rrugëve tokësore në bashkëpunim me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.

Rusia ka lajmëruar pezullimin ditën e shtunë, pasi pretendon për një sulm nga Moska mbi flotën e saj detare.
Ministri i Bujqësisë franceze, Marc Fesneau në një deklaratë për shtyp u shpreh se: “Puna që duhet të bëjmë në nivel evropian, e kemi diskutuar shpesh…është të shohim nëse, nëse nuk mund të kalojë përmes Detit të Zi, mund të kalojë përmes rrugëve tokësore”, duke përmendur rrugët përmes Rumanisë dhe Polonisë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një sistemi që nuk na vë në duart… e Vladimir Putin”, shtoi Fesneau, duke iu referuar presidentit rus.

Ministri i Bujqësisë u shpreh se këtë çështje e ka diskutuar dhe me vendet e tjera anëtare të BE-së, veçanërisht me Gjermaninë.

Që prej shkurtit të këtij viti, i cili shënon dhe fillimin e luftës Rusi-Ukrainë, eksportet e drithërave të Ukrainës kanë rënë për shkak se portet e saj të Detit të Zi, një rrugë kryesore për dërgesat, u mbyllën, duke rritur çmimet globale të ushqimit dhe duke shkaktuar frikë nga mungesa në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Eksportet përmes Detit të Zi rifilluan në muajin korrik pasi Rusia ra dakord të lejonte kalimin e sigurt të anijeve të grurit të Ukrainës dhe çmimet e grurit dhe misrit u rritën të hënën pas tërheqjes së Moskës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb