Analisti Mentor Nazarko i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24, komentoi akuzat në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha se ka fshehur kasetën e masakrës në Krushë të Madhe gjatë kohës që punonte pranë UNMIK. Nazarko tha se këto akuza janë pjesë e fushatës zgjedhore në prag të së cilës jemi.

“Nuk e besoj se me rolin profesional të asaj kohe, ka arsye pse duhet ta fajësojmë Bashën, aq më tepër për një kopie kasete të masakrës që është transmetuar nga mediat botërore, apo është përdorur tashmë në gjykime kundër Serbisë. Nuk besoj ndërkohë që Bellanica është i manipuluar. Nuk shoh prova se pse sot pas kaq vitesh Basha të ndjehet përgjegjës moralisht, apo profesionalisht. Të parët që do ta sulmonin në këto 19 vjet do ishin individë apo subjekte nga Kosova. I mendoj pjesë të fushatës akuzat që po bëhen në lidhje me zhdukjen e kasetës së masakrës në Krushë të Madhe”,- tha analisti.

Sa për situatën në Kosovë, Nazarko u shpreh se duhet të vijohet dialogu me Serbinë dhe të mos bëhet asnjë kompromis.

“Kosova sot e ka forcën më të madhe negociale nëse krijon unitet brenda vetes. Serbia nuk mund të thotë që nuk po bëhet drejtësi ndërkombëtare. Kosova të mos bëjë asnjë kompromis tjetër, por të vijojë dialogun. Jetojmë në një kohë vakumi fuqie në Kosovë se njeriu më me ndikim ishte ambasadori Grenell. Ai sot nuk e ka mendjen tek Kosova, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë janë të rinj, pra jemi në kushtet e një vakumi, askush nuk e ka mendjen tek dialogu dhe as të ndikojë në zgjidhjen e situatës”.

Por ndërsa Shqipëria pret zgjedhjet vitin tjetër në një kohë që pandemia e Covid vijon, Nazarko nuk veçon si fituese asnjë parti politike. Ai thotë se për të përballuar pandeminë vendit i nevojitet një qeveri me bazë të gjerë.

“Menaxhimi i pandemisë thuhet se është një nga faktorët që çoi në rënien e Trump, por në ato zona me vdekshmëri të lartë ai ka fituar. Përgjatë fatkeqësive natyrore, pandemive, si rregull popullsitë nuk i duan ndryshimet politike. Kjo ngjan se favorizon qeverinë, shto këtu pjesëmarrjen që supozohet se do jetë e ulët. Ekonomia do ndikohet gjithashtu. Por nuk mund të bëjmë kasandrën. Unë jam i prirur që të favorizoj një zgjidhje uniteti kudo në botën shqiptare. Një qeveri me bazë të gjerë që adreson drejt një çështje si pandemia, krijimi i institucioneve që kanë ngecur nga reforma në drejtësi, dialogun me BE-në. Pra, të mos vuajmë më nga përçarja që ekziston mes forcave politike. Jam i mendimit se kriza si pandemia e tërmeti që ndikojnë në ekonomi, apo dhe dialogu me BE-në duhet të adresohen në mënyrë kohezive nga një qeveri me bazë të gjerë”.

I pyetur se sa ka gjasa të ndodhë në Shqipëri një gjë e tillë, analisti u shpreh: “Ndoshta edhe këto kritikat e fuqishme që vijnë mbi Bashën mund të jenë përpjekje për një pazar të mirë… Unë nuk kam informacion, këto janë thjesht pandehma, s’jam as fallxhor. E kam të vështirë të mos besoj se në katet e sipërme të politikës po zhvillohen negociata të tilla”.

Ai po ashtu u shpreh se ndryshimet në kodin elektoral i favorizojnë partitë e vogla në një këndvështrim, ndonëse në 8 vjet qeverisje të një partie, ajo arrin të kontrollojë gjithçka, pra dhe kanalet e afirmimit të një subjekti të ri. Ama mbeten hapësira të lira, që duhen shfrytëzuar në mënyrë kreative.

“Kjo skenë politike sado që duket e mbipopulluar ka nevojë për parti të reja, aktorë të rinj. Besoj që mund të kemi surpriza në këto zgjedhje. Kemi rastin e Lëvizjes 5 yje në Itali që i shfrytëzoi këto hapësira të lirisë në mediat sociale”, shtoi Nazarko.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: