POGRADEC- Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri deklaron se situata në këtë bashki pas reshjeve intensive është kritike. Kapri sqaron se lagje, biznese e banesa janë nën ujë ndërkohë që ish-drejtuesit e komunave janë indiferentë ndaj kësaj situate.

“Situata në Bashkinë e Pogradecit nga rënia e reshjeve është kritike. Lagje, biznese, shtëpi janë nën ujë. Nuk ka më kohë për të humbur, teksa njerëzit po humbasin pronën dhe biznesin, në kushtet e një indiference totale dhe papërgjegjshmërie nga ish-drejtuesit e Bashkisë dhe Komunave”, tha Kapri.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë të ndihmojë Bashkinë e Pogradecit pasi banorët janë në kushtet e emergjencës.

“I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare, të ndihmojë Bashkinë Pogradec me mjete, fonde materiale dhe monetare. Gjithçka e realizuar deri më tani është më mundësitë e kufizuara të një Bashkie në debite disa milionë euro. Banorëve të Pogradecit u duhet dhënë ndihma e emergjencës sot. I bëj thirrje edhe Prefekturës, që ka nën kompetencat e saj sektorin e Emergjencave Civile të dërgojë urgjentisht zjarrfikëset për tërheqjen e ujit nga shtëpitë dhe bizneset”, tha ai.

Sipas Kaprit, administratorët me personelin në Njësitë Administrative do të jenë të gjithë në punë për të përballuar emergjencat pranë shtëpive të dëmtuara dhe familjeve në nevojë. “Punëtorët e Bashkisë janë në punë me orar të zgjatur për pastrimin e pusetave dhe kanaleve. Nuk duam të përsëritet e njëjta tragjedi si ajo e disa muajve më parë ku një grua humbi jetën. Familja e mbetur e pastrehë është sistemuar nga Bashkia”, deklaroi Kapri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: