TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi foli sot për një opozitë të fortë pa kthim pas, të mbështetur nga shqiptarët në mbledhjen e përbashkët të grupeve parlamentare PD-LSI.

Kryemadhi kërkoi që bashkëpunimi qendror mes dy forcave opozitare të shtrihet edhe në nivel lokal dhe rakordimi të bëhet edhe me qytetarët. Ajo deklaroi se 27 janari ishte fillimi i një rruge që nuk ka kthim pas, i një beteje me narko-shtetin.

“Unë do të qëndroj shumë shkurt se vijën politike të organizimit dhe bashkëpunimit të opozitës së bashkuar tashmë Kryetari e bëri të qartë. Ajo çka dua të them në emër të deputetëve të LSI është që bashkëpunimi ynë do jetë pa ekuivoke dhe pa dilema ku ka në qendër përballjen me qeverinë e krimit. Ne si opozitë do të veprojmë të bashkuar dhe do të jemi kompakt në qëndrimet tona për çështjet më thelbësore që kanë të bëjnë me situatën ne vend. Bashkëpunimin tonë duhet ta shtrijmë që nga grupet parlamentare dhe në nivel lokal me bazën me qytetarët për të përfshirë dhe bërë të mundur çinstalimin e kësaj diktature kriminale që po instalon çdo ditë dhe më shumë Edi Rama me falangat e rilindjes së tij. Denoncimet e përditshme ti vazhdojmë çdo ditë dhe pa pushim, jo vetëm ne si deputetë por me gjithë strukturat tona kudo që janë në të gjithë Shqipërinë, në komuna, fshatra, qytete, në shkolla për shitjen e drogës që bëhet nga mësuesit të cilët në vend të që të edukojnë fëmijët tanë janë kthyer në spaçatorë të krimit të organizuar. Në institucione dhe spitale ku ne çdo ditë dhe më shumë shikojmë sjelljen e mjerueshme ndaj pacientëve dhe kudo në çdo infrastrukturë apo zyrë të shtetit të cilët janë kthyer në shërbëtorë të krimit të organizuar. Ky denoncim nuk duhet ndalu dhe rakordim jo vetëm i strukturave tona por dhe rakordim me qytetarët është një nga pikat kryesore”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së theksoi se denoncimet duhet të vazhdohen çdo ditë dhe pa pushim, jo vetëm si deputetë por gjithë strukturat.

“Aksionin opozitar ta kemi të përditshëm, të organizohemi që të bllokojmë me çdo mjet dhe mënryë demokratike institucionet që po bllokojnë zbatimin e reformave dhe që janë të implikuara në trafiqet dhe pazaret e krimit të organizuar. Ne mendojmë që nuk ka më kthim pas në rrugën tonë e cila nuk do njohi më pengesa përsa i përket narkoqeverisë dhe as falangave të krimit të tij që kanë zaptuar çdo pjesë dhe çdo institucion. Dua të them që ata që menduan se mitingu i 27 Janarit ishte finalja e aksionit opozitar kanë menduar komplet gabim. Ai miting ishte fillimi i një rruge që ska kthim pas. Aty ka nisur beteja jonë me qeverinë e Edi Ramës, me qeverinë e narkoshtetit dhe kjo qeveri e krimit nuk mund të mbajë peng as shqiptarët, as politikën shqiptare dhe as të ardhmen e brezave të shqiptarëve përsa I përket çështjes së integrimit europian. Forca jonë nuk jemi ne këtu, por forca jonë janë qytetarët, janë mbi 1 milion shqiptarë që na votojnë të gjithëve ne së bashku, janë dhe 1 milion shqiptarë të tjerë, të cilët duan të kthehen në Shqipëri dhe duan t’i japin dërrmën një orë e më parë Edi Ramës. Prandaj dhe nga kjo ditë e sotshme, ashtu siç jemi rakorduar dhe me z.Basha, kjo opozitë e bashkuar tashmë do të ketë dhe mbledhjet e saj periodike përsa i përket opozitës dhe aksionit të saj në parlament, jo vetëm në komisione dhe përgatitjen e ligjeve apo dhe në përgatitjen e relatorëve nga grupet parlamentare, por dhe në kthimin e një institucioni politik, i cili nuk ka më ndalim, deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës, i cili nuk është gjë tjetër vetëm gjeneratori që mban me energji krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, tha Kryemadhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb