Anëtarja e Kryesisë së PD zyrtare, Jonila Godole, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në PD dhe debatet mbi zgjedhjen e kryetarit të ri.

Ajo i ka bërë thirrje anëtarëve të Kryesisë që të vendosin dialogun përpara interesit vetjak, ndërsa e ka quajtur nxitimin për të zgjedhur një kryetar të ri, si rënie ndesh me Statutin e partisë.

Sipas saj kjo sjell përjashtimin nga gara të Asamblesë Qytetare dhe në vend që të hapë PD-në, e mbyll atë më shumë.

Reagimi i plotë:

Duke parë vendimet e nxituara dhe të njëanshme të kryesisë në javët e fundit, të cilat po dëmtojnë dhe po ushqejnë përçarjen e PD-së, u bëj thirrje kolegëve të kryesisë të vendosin dialogun dhe diskutimin konstruktiv për një parti fituese në 2025, përpara interesit personal (vetjak apo të ndokujt tjetër).
Nxitimi për zgjedhjen e kryetarit dhe kriteret flagrante që një pakicë ka miratuar dhe shpërndarë sot në media, bien ndesh me statutin, përjashtojnë nga gara përfaqësues të Asamblesë Qytetare miratuar nga Kuvendi Kombëtar më 18 dhjetor 2021, dhe e bunkerizojnë akoma më shumë PD-në, në vend që ta hapin atë.
Berishizmi nuk ka brirë, ai nënkupton mbyllje gare, paracaktim të fituesit, votime jo zgjedhje, kapje të strukturave të partisë, nënshtrim ndaj njëshit. Kryesia dhe këshilli kombëtar kanë shansin historik të ndahen nesër jo me fjalë, por me vepra, nga kjo mendësi që është ulur këmbëkryq në PD dhe nuk e lë atë të jetë alternativë fituese për shqiptarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: