Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke i cilësuar dënimet si të papranueshme.

Gucati tha se me këtë vendim, sipas tij, Gjykata Speciale ka kënaqur Serbinë dhe Rusinë. Ai theksoi se shpresa tashmë mbetet te procesi i Apelit.

“Dënimet janë të papranueshme. Gjykata Speciale arriti ta kënaqë Serbinë dhe Rusinë. Shpresa është dhe ne do t’i drejtohemi Apelit”, deklaroi Gucati.

Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me 25 vite burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa Kadri Veseli u dënua me 18 vite burgim.

Rexhep Selimi u dënua me 13 vite burgim, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim.

Sipas trupit gjykues, katër ish-krerët u shpallën fajtorë për vepra të ndryshme penale, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në total, dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në 81 vite burgim. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vite burgim për secilin prej tyre.

Pas shpalljes së vendimit, pala mbrojtëse pritet ta ankimojë aktgjykimin në Dhomën e Apelit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb