Dinamo ka regjistruar sot fitoren e katërt radhazi në Superiore, duke arritur një seri suksesesh që nuk i regjistronte në elitën e futbollit shqiptar që në vitin e largët 2010.

Edhe starti i edicionit është plotësisht i ngjashëm me atë të sezonit 2010-2011. Asokohe blutë humbën në javën e parë me Flamurtarin, ndërsa më pas mposhtën Besën, Teutën, Shkumbinin dhe Vllazninë në një seri prej katër fitoresh që e ngjitën në vendin e parë në renditje.

Seria vazhdoi edhe me një fitore tjetër duke e çuar në 5 numrin e sukseseve radhazi për blutë. Por ironikisht, një sezon i filluar si pretendent, u mbyll me një fund thuajse katastrofë. Kjo, pasi blutë më pas thuajse u shpërbënë, duke dorëzuar ndeshje pas ndeshje, me një projekt sportiv që praktikisht u la në mes të rrugës edhe për shkak të shpërthimit të Skënderbeut në atë edicion.

Si pasojë Dinamo e mbylli sezonin në zonën e rënies nga kategoria dhe u desh të siguronte mbijetesën me ndeshje shtesë në play-off përballë Besëlidhjes. Një rënie nga kategoria që do të vinte një vit më vonë e do të niste kalvarin e gjatë të bluve në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb