Mural Fest, është një ndër festivalet që po zhvillohet tani në Tiranë. Muralet janë kuruar nga kuratori Helidon Haliti i cili përmes disa fotove në Facebook zbulon domethënien e murales së radhës “Kujdesi i nënës”, vepër e piktorit gjerman Case Maclain, që i referohet tërmetit të 2019, ku shumë nëna u lutën për fëmijët e tyre që mbetën nën gërmadha.

“KUJDESI I NËNËS, është një vepër e sapo filluar e piktorit shumë të njohur gjerman, Case Maclain dhe në asistencë të partneres së tij, e cila është gazetare dhe prej shume vitesh lënë vepra të mrekullueshme në të gjithë boten. Fat për ne që ky autor sjell një vepër në qendër të Tiranës e cila u trondit pas termetit të shtatorit dhe nëntorit të 2019, ku shumë femijë mbetën nën gërmadha dhe kujdesi i nënës i shoqëroi dhe i mbrojti nga kjo fatkeqësi. Dora e NËNËS do i mbrojë këta engjëj sikur të ishte dora e Zotit i cili i mbron engjëjt e tij. Vepra është në proces dhe PREMTOJ që do të jetë një gjë shumë e vyer për kryeqytetin dhe jo vetëm. Do e ndjekim këtë vepër hap pas hapi”, shkruan kuratori Helidon Haliti në rrjetet sociale.

Kjo murale po pikturohet në një nga pallatet në Unazën e Vogël në kryeqytet, teksa aktualisht kanë përfunduar dy të tjera te Komuna e Parisit dhe ura e Selitës.

Mural Fest ka nisur që prej datës 24 gusht deri në fund të shtatorit. Projekti zhvillohet në 10 mure të ndryshme. Ky projekt është nismë e “Agjencisë së Dekorit dhe Eventeve” nga Bashkia e Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb