Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të sfidës së parë gjysmëfinale që do të ketë nesër ndaj Tiranës në “Kukës Arena”. Një përballje që në kampin blu e kanë vlerësuar maksimalisht, pasi duan t’i shkojnë në finale dhe pse jo ta fitojnë atë.

Tani që shpresat për në kampionat po veniten pas humbjes ndaj Egnatias, kupa shihet si një ngushëllim dhe shkuarja në finale do të zbehte disi edhe dështimin në kampionat. Fakti që bardheblutë gjithashtu nuk po kalojnë një formë të mirë, shihet si një mundësi që duhet shfrytëzuar në Kukës, duke mos e bërë të duket aq e pamundur edhe kalimi i këtij turi.

KUKËS CINIK – Duket se në kupë Kukësi karakterizohet nga cinizmi, që në fakt i ka munguar në kampionat dhe i ka kushtuar jo më kot edhe vendin e fundit në klasifikim. Në kupë, për hir të formulës, blutë kanë shkuar në gjysmëfinale vetëm me tri ndeshje, edhe pse nuk i kanë pasur të lehta. Në turin e 1/8 kaluan Elbasanin e Kategorisë së Parë, një skuadër e mirë investuar këtë sezon dhe që do të bëhet pjesë e elitës vitin e ardhshëm. Gjithsesi, mes një mori problemesh, bluve i mjaftoi një gol në fund nga Rashiti për të shkuar në turin çerekfinal. Aty u përballën me një nga pretendentët e këtij viti, Partizanin, ku e eliminuan pas penalltive. Për të kaluar deri në gjysmëfinale, edhe këtu i mjaftoi një gol në ndeshjen e kthimit për ta dërguar në shtesa. Me pak fjalë, Kukësi ia ka dalë të maksimizojë forcat e veta dhe të tregohet cinik në këtë kompeticion, pasi me vetëm dy rrjeta të shënuara ka kaluar dy ture përballë kundërshtarëve të vështirë. Të njëjtën gjë verilindorët do të mundohen të bëjnë edhe ndaj Tiranës në këto dy ndeshje, pasi me cinizmin e tyre mund t’i shkojnë deri në fund dhe të përsërisin pikërisht Tiranën e para pak viteve.

MBROJTJA – Për t’ia dalë, Devolli pritet t’i mbajë shpresat tek reparti difensiv, pasi edhe sukseset në javët e fundit kanë ardhur pikërisht nga ky repart. Në dy ndeshjet e fundit në shtëpi, Kukësi nuk ka pësuar gol dhe për aq kohë sa mund ta mbajë të paprekur portën edhe ndaj bardhebluve në 90-të minutat në “Kukës Arena”, aq më shumë shanse do të ketë të shkojë deri në finale. Gjithsesi, mbetet për t’u parë edhe kurthi që do të ketë përgatitur Devolli për kryeqytetasit nesër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: